Politike

Kontrolli i financave në ndërtim/ Bardhi: Të votohet ligji, trafikantët kanë pronotuar nga 7 kate në qendër të Tiranës

Duke marrë shkas nga komentet e bëra nga Pandeli Majko si edhe Fatmir Xhafaj, të cilët u shprehën se qëllimi është i mirë, por sipas tyre, duhet parë në një këndvështrim më të gjerë, Bardhi tha se nëse nuk ka propozime të tjera, atëherë duhet të votohet propozimi i Tabakut.

5 Korrik 2023, 16:32 Nga m.s
Kontrolli i financave në ndërtim/ Bardhi: Të votohet ligji,
Gazment Bardhi

TIRANË-  Gazment Bardhi ka mbështetur propozimin e deputetes Jorida Tabaku, lidhur me kontrollin e financave në ndërtim. Ai ka deklaruar në Komisionin e Ligjeve se me ndërtimet në Tiranë, po pastrohen paratë e krimit të organizuar. Duke marrë shkas nga komentet e bëra nga Pandeli Majko si edhe Fatmir Xhafaj, të cilët u shprehën se qëllimi është i mirë, por sipas tyre, duhet parë në një këndvështrim më të gjerë, Bardhi tha se nëse nuk ka propozime të tjera, atëherë duhet të votohet propozimi i Tabakut. 

Bardhi u shpreh se në mes të Tiranës kanë mbirë kullat, dhe se nuk dihet se kush i financon. Sipas tij, pastrim parash mund të bëjë edhe ai që ndërton, kur nuk i dihet financimi, por edhe ai që blen. Në vazhdën e denoncimeve, ai shton më tej se ka trafikantë droge, të cilët kanë pronotuar nga 7 kate në qendër të Tiranës.

Reagimi:

"Unë gjykoj që nuk duhet të fshihemi pas fjalëve të bukura, për të thënë na pëlqen qëllimi i ligjit, por kjo nuk bëhet kështu. Nëse jeni dakord me qëllimin e ligjit të propozuar nga deputetja Tabaku, bëni amendamente se çfarë duhet rregulluar, bëni plotësimet që dëshironi, shmangni shqetësimet që keni, por s’keni pse fshiheni duke thënë na pëlqen qëllimi se është shumë i mirë, por ne nuk e miratojmë dot këtë ligjin. 

Pse e quani ju mekanizimin e propozuar nga kolegia si të gabuar? Pse është i gabuar se mbijnë kullat në mes të Tiranës, nuk dihet kush i financon, dhe ju këtu thoni nuk bën pastrim parash ai që ndërton, por vetëm ai që blen. Jo, pastrim parash mund të bëjë edhe ai që ndërton, kur nuk i dihet financimi, edhe ai që blen. 

Ka trafikant droge që kanë pronotuar nga 7 kate në qendër të Tiranës dhe ne rrimë këtu, bëjmë serish dhe themi nuk kemi çfarë të bëjmë ne se e ka Drejtoria kundër Pastrimit të Parave. Po ta kishte Drejtoria kundër pastrimit të parave, shkoj ti ndjekë paratë, sepse ka ardhur këtu Prokurori i Përgjithshëm dhe thotë që me ndërtimet në Tiranë po pastrohen para të pista dhe s’kemi çfarë të bëjmë se kemi mungesë informacioni, nuk dimë çfarë po ndodh, nuk dimë kush po investon.

Nëse jeni dakord me qëllimin për të luftuar pastrimin e parave, kjo iniciativë e koleges Tabaku ka 6 muaj që është depozituar, dhe ne duhet ta përgëzojmë kolegen që ka ndërmarrë këtë iniciativë. Lufta kundër pastrimit të parave nuk duhet të jetë shqetësim partiak, ky duhet të jetë shqetësim qytetarë i secilit prej nesh. Do duhet të marrim masa për pastrimin e parave, unë mendoj që po. A ka sjell një propozim kolegia Tabaku për këtë? Po! Bëni shtesat që doni, amendamentet, ti diskutojmë dhe ta votojmë.

Kemi problemin e emigrantëve që punojnë me ndershmëri, dhe vijnë këtu për të investuar, hajde e rregullojmë sesi shmangen ato nga ky kontroll, edhe pse secili qytetarë, përfshirë edhe ato duhet ti nënshtrohen ligjshmërisë së të ardhurave të tyre. Megjithatë, iniciativa siç thuhet edhe në relacionin shoqërues, nuk ka si qëllim këtë kategori, por ndërtuesit e kullave apo ato që ndërtojnë për qëllime fitime. Propozoni amendamente, mos flisni fjalë të bukura, qëllimi i mirë, por ne nuk e votojmë. Nëse nuk keni propozime, të votojmë këtë që është propozuar nga kolegia Tabaku. Çfarë qëndrimi është ky i juaji që të shtyjmë çdo iniciativë të deputetëve të opozitës, ndërkohë që votoni me vrap çdo ligj që sjell qeveria".

gazment bardhi

Sondazh

Poll