Bota

Kremlini i hapur për shkëmbimin e gazetarit amerikan Gershkovich me një të burgosur rus në SHBA

31-vjeçari Gershkovich u arrestua në qytetin e Yekaterinburgut gjatë një udhëtimi në Rusi për përgatitjen e një reportazhi. Ai po mbahet në burgun Lefortovo të Moskës, i njohur për kushtet e rënda. Një gjykatë në Moskë javën e kaluar la në fuqi një vendim për ta mbajtur atë në paraburgim deri më 30 gusht.

5 Korrik 2023, 10:05 Nga k.m.
Kremlini i hapur për shkëmbimin e gazetarit amerikan Gershkovich me
Evan Gershkovich

Kremlini mbajti të martën të hapur mundësinë e kontakteve me Uashingtonin në lidhje me një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve, ku mund të përfshihet edhe gazetari i burgosur i gazetës Wall Street Journal, Evan Gershkovich, por ripohoi se bisedime të tilla duhet të mbahen jashtë syve të publikut. I pyetur nëse vizitat konsullore të hënën tek gazetari Gershkovich, i cili është mbajtur pas hekurave në Moskë që nga marsi nën akuzat për spiunazh, dhe tek Vladimir Dunaevi, një shtetas rus në paraburgim në Shtetet e Bashkuara nën akuzat për krim kibernetik, mund të paralajmërojnë një shkëmbim të burgosurish, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Moska dhe Uashingtoni e kanë prekur këtë çështje.

“Ne kemi thënë se ka patur kontakte të caktuara për këtë temë, por nuk duam që ato të diskutohen në publik,”- tha Peskov në një konferencë me gazetarët.

“Ato duhet të kryhen dhe të vazhdojnë në heshtje të plotë.”

Ai nuk ofroi detaje të mëtejshme, por shtoi se “e drejta e ligjshme për kontakte konsullore duhet të sigurohet nga të dyja palët”. Ambasadorja amerikane në Moskë, Lynne Tracy, u lejua të hënën të vizitonte gazetarin Gershkovich për herë të parë që nga prilli. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Rusi nuk ka dhënë detaje rreth kësaj vizite.

31-vjeçari Gershkovich u arrestua në qytetin e Yekaterinburgut gjatë një udhëtimi në Rusi për përgatitjen e një reportazhi. Ai po mbahet në burgun Lefortovo të Moskës, i njohur për kushtet e rënda. Një gjykatë në Moskë javën e kaluar la në fuqi një vendim për ta mbajtur atë në paraburgim deri më 30 gusht.

Evan Gershkovich është gazetari i parë amerikan që përballet me akuza për spiunazh në Rusi që nga shtatori i vitit 1986, kur Nicholas Daniloff, një korrespondent në Moskë i gazetës “US News and World Report”, u arrestua nga KGB-ja. Daniloff u lirua 20 ditë më vonë në një shkëmbim për një punonjës të misionit të Bashkimit Sovjetik në OKB, i cili u arrestua nga FBI-ja, gjithashtu nën akuza për spiunazh./VOA

evan gershkovich

Sondazh

Poll