Politike

Shifrat e INSTAT ‘mollë sherri’ në Komisionin e Ekonomisë, miratohet ulja e taksës për bujqësinë dhe blegtorinë

Gjatë mbledhjes në Komisionin e Ekonomisë, u dakordësua ndryshimi i taksës në infrastrukturë për subjektet bujqësore dhe blegtorale, si një lehtësim për këtë sektor.

4 Korrik 2023, 15:11 Nga m.s
Shifrat e INSTAT ‘mollë sherri’ në Komisionin e
Foto nga mbledhja e Komisionit të Ekonomisë

TIRANË- Qeveria ka pranuar që të ulë taksën e infrastrukturës për bujqësinë dhe blegtorinë. Gjatë mbledhjes në Komisionin e Ekonomisë, u dakordësua ndryshimi i taksës në infrastrukturë për subjektet bujqësore dhe blegtorale, si një lehtësim për këtë sektor. Në propozimin e bërë nga Komisioni i Ekonomisë, kërkohet që për ndërtimet bujqësore apo blegtorale, taksa e ndikimit në infrastrukturë të jetë 1-2% të vlerës së investimit dhe për në zonën e Tiranës 2-4%. Përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë dhe Financave, pranuan parimisht propozimin, ku sipas tyre, kjo do të jetë pozitive për zhvillimin e sektorit dhe ndihmë për fermerët, individë apo sipërmarrës.

Sa i takon bujqësisë, deputeti socialist Erion Braçe përmendi shifrat e fundit të INSTAT, ku bujqësia ishte në stanjacion. Ai tha se duke iu referuar statistikave zyrtare, bëhet fjalë për 40 mijë lopë më pak. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, ai shtoi më tej se ajo që qytetarët konsumojnë është bulmet me suplemente.

“Me statistika zyrtare, kemi humbur 40 mijë lopë! Ju merrni shqetësimet dhe prap i vini në dyshim. Më pas hidheni në sulm e thoni ky është populizëm e janë interesa personale dhe nuk reagoni. Kjo rënie më shton dyshimin për pjesën tjetër, për shifrat e qumështit që nxjerr INSTAT. Ai që hamë është bulmet me suplemente”, tha Braçe.   

Ai trajtoi ndër të tjera edhe situatën e fermerëve që kultivojnë grurin. “Është bukë! Dëgjojeni këtë shqetësim. Gruri shitet 26-28 lekë, ureja 60 lekë dhe mielli 70 lekë. Mos dilni të na thoni i cakton tregu çmimet, se ky nuk është treg, ky është pazar! Por ju nuk na dëgjoni”, përfundoi deputeti socialist.

Nga ana tjetër, Eduart Shalsi përmendi një tjetër problematikë në mbyllje të mbledhjes së komisionit, ku tha se duhet të përmirësohet databaza e informacionit dhe të saktësojmë të dhënat.

“Ne na vinin të dhëna që nuk përputheshin me databazat e ministrive. Duhet të përmirësojmë databazën e informacionit dhe të saktësojmë të dhënat, që mos debatojmë për shifrat e mospërputhjet midis institucioneve”, tha Shalsi.

komisioni i ekonomise bujqesi blegtori

Sondazh

Poll