Politike

Miratohen dy marrëveshje në fushën e sigurisë, Koçi: Emiratet Arabe kthehen në strehim për kokat e krimit, duhet marrëveshje për ekstradim drejt Shqipërisë

Komisioni për Çështjet Ligjore miratoi sot me dakortësi dy marrëveshje ndërkombëtare në fushën e sigurisë

4 Korrik 2023, 13:52 Nga m.s
Miratohen dy marrëveshje në fushën e sigurisë, Koçi:
Komisioni i Ligjeve

TIRANË- Komisioni për Çështjet Ligjore miratoi sot me dakortësi dy marrëveshje ndërkombëtare në fushën e sigurisë. U miratua marrëveshja për ratifikimin e konventës ndërkombëtare për shtypjen e akteve të terrorizmit bërthamor, dhe bashkëpunimi në luftën kundër krimit me qeverinë e Mbretërisë së Arabisë Saudite. Marrëveshjet u prezantuan në Komisionin e Ligjeve nga Zëvendës-Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari. Lidhur me ratifikimin e konventës ndërkombëtare për shtypjen e akteve të terrorizmit bërthamor, Lamallari bëri me dije se “kjo konventë është nënshkruar nga Shqipëria në 23 nëntor 2005”.

“Të gjitha aktet që parashikohen në konventë, duhet të transpozohen në ligjin vendas. Në kuadër të procesit screening, ne rishikuam kuadrin ligjor që Shqipëria kishte nënshkruar në përmbushje të detyrimeve karshi Kombeve të Bashkuara. Prandaj, ne vendosëm të procedojmë me këtë nismë të qeverisë shqiptare për ta sjellë në komision e për të vijuar me ratifikimin e kësaj konvente”, bëri me dije Lamallari.

Referuar ratifikimit të marrëveshjes me Mbretërinë e Arabisë Saudite, Lamallari tha se ajo do të ndihmojë vendin tonë në luftën ndaj krimit të organizuar. Ai shtoi më tej se marrëveshja rrit bashkëpunimin bilateral, në kuadër të shkëmbimit të informacionit mes dy vendeve.

“U nënshkrua në shkurt të këtij viti nga Ministri i Brendshëm dhe homologu i Mbretërisë së Arabisë Saudite. Marrëveshja rrit bashkëpunimin bilateral, në kuadër të shkëmbimit të informacionit mes dy vendeve”, tha Lamallari.

“Marrëveshja ka fokusin tek personat e dënuar apo arrestuar për ato vepra penale, që përmenden në marrëveshje, krimi organizuar dhe terrorizmi. Konkretisht janë 18 vepra penale në total që saktësohen tek neni 1, i marrëveshjes”.

Sipas tij, “marrëveshja cakton dhe rregullat dhe garancitë që marrin të dyja vendet nga zbatimi i saj. Në thelb ajo nuk mund të bije ndesh me ligjet e Shqipërisë dhe konventave ndërkombëtare të miratuara nga Shqipëria”, tha Lamallari.

Deputeti socialist, Petro Koçi, e vlerësoi si shumë të nevojshme këto dy marrëveshje, ndërsa e vuri theksin tek ekstradimet e elementëve kriminal. Ai tha se ratifikimi i marrëveshjes për aktet e terrorizmit bërthamor është mjaft i rëndësishëm. Deputeti shtoi më tej Emiratet e Bashkuara Arabe kthehen në strehim për kokat e krimit, dhe pikërisht me Emiratet Arabe duhet një marrëveshje sa më efektive, që krerët e grupeve kriminale që strehohen atje, të ekstradohen drejt Shqipërisë.

“Ratifikimi i marrëveshjes për aktet e terrorizmit bërthamor është mjaft i rëndësishëm. Edhe marrëveshja me Arabinë Saudite është pozitive dhe nuk cënohen të drejtat e njeriut. Edhe pse Arabia ka ndryshime thelbësore me Shqipërinë, sa i takon kuptimit të të drejtave të njeriut”, tha Koçi.

“Kjo marrëveshje hap po ashtu edhe mundësinë e bashkëpunimit për luftën ndaj krimit. Shpesh Emiratet e Bashkuara Arabe kthehen në strehim për kokat e krimit, dhe pikërisht me Emiratet Arabe duhet një marrëveshje sa më efektive, që krerët e grupeve kriminale që strehohen atje, të ekstradohen drejt Shqipërisë”, theksoi Koçi.

komisioni i ligjeve

Sondazh

Poll