Bota

Talebanët në Afganistan urdhërojnë mbylljen e salloneve të bukurisë brenda një muaji

Qeveritë e huaja dhe zyrtarët e OKB-së, kanë dënuar kufizimet në rritje të talebanëve ndaj grave, që kur ata morën pushtetin në vitin 2021.

4 Korrik 2023, 10:15 Nga m.s
Talebanët në Afganistan urdhërojnë mbylljen e salloneve
foto ilustruese

AFGANISTAN- Qeveria talebane e Afganistanit ka urdhëruar që sallonet e bukurisë në vend, të mbyllen brenda një muaji. Lajmin e ka përcjellë Ministria e Etikës, duke kufizuar më tej aksesin e grave në jetën publike. “Afati i fundit për mbylljen e salloneve të bukurisë është një muaj”, tha Mohammad Sadiq Akif, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes Morale dhe Promovimit të Virtytit.

Qeveritë e huaja dhe zyrtarët e OKB-së, kanë dënuar kufizimet në rritje të talebanëve ndaj grave, që kur ata morën pushtetin në vitin 2021. Vitin e kaluar, autoritetet afgane mbyllën shumicën e shkollave të mesme të vajzave, ndaluan gratë të hynin në universitet dhe të punonin në organizata. 

Prania e grave është e ndaluar në shumë vende publike, si gjimnaze dhe parqe, shkruajnë mediat e huaja. Sallonet e bukurisë u shfaqën në Kabul dhe qytete të tjera afgane pas rënies së regjimit të parë taleban në fund të vitit 2001. Shumë prej tyre mbetën të hapura pas vitit 2021, me tabela dhe dritare të mbuluara, duke u ofruar disa grave punë.

afganistan sallonet e bukurise

Sondazh

Poll