Bota

Rutte dhe Bettel 'zbarkojnë' në Kosovë, pritet të paraqesin qëndrimet e Belgjikës për tensionet në veri

Në këtë vizitë ishte parashikuar edhe pjesëmarrja e kryeministrit të Belgjikës, Alexander De Croo, por ai ka anuluar vizitën për shkak të një krize të brendshme politike.

4 Korrik 2023, 08:58 Nga m.s
Rutte dhe Bettel 'zbarkojnë' në Kosovë, pritet të
Mark Rutte, Aleksandër Vuçiç dhe Xavier Bettel

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të presë sot në Prishtinë kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe atë të Luksenburgut, Xavier Bettel, ku do të diskutojnë për situatën në veri të Kosovës. Takimi mes palëve pritet që të nisë në orën 09:20, dhe më pas në orën 10:05 do të ketë një konferencë për media.

Në këtë vizitë ishte parashikuar edhe pjesëmarrja e kryeministrit të Belgjikës, Alexander De Croo, por ai ka anuluar vizitën për shkak të një krize të brendshme politike.

Duke iu referuar burimeve diplomatike, vizita nga këto tre shtete ishte planifikuar si “një qasje e përbashkët e Beneluksit” në disa çështje të rëndësishme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi i Beneluksit është shkurtesa e emërtimit të përgjithshëm të shteteve benelukse të Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut. Mes tyre kanë bashkëpunim të ngushtë politik si dhe ekonomik.

Këto tri shtete janë shumë të interesuara për një bashkëpunim të ngushtë, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me emigracionin. Përveç procesit të integrimit evropian të shteteve të rajonit, vendet e Beneluksit gjithmonë kanë qenë të interesuara që këto shtete të bashkëpunojnë në ndaljen e migrimit masiv drejt BE-së, riatdhesimin e qytetarëve të tyre që ilegalisht qëndrojnë në BE dhe bashkëpunimin me këto vende në luftimin e trafikimit.

Edhe pse në këtë vizitë nuk do të jetë kryeministri belg, shefat e qeverive të Holandës dhe Luksemburgut do të paraqesin edhe qëndrimet e Belgjikës. Këto tri shtete tradicionalisht bashkëveprojnë në shumë çështje të politikës së jashtme, dhe kanë qëndrim të përbashkët edhe brenda BE-së sa herë që kjo përshtatet me interesat e tyre kombëtare.

Vizita e liderëve të Holandës dhe Luksemburgut vjen në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur. Faktori ndërkombëtar vazhdimisht është dukë bërë thirrje për qetësim të situatës. Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, komuna të banuara me shumicë serbe, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e policisë.

Prej asaj periudhe, serbët kanë mbajtur protesta. Kryetarët e rinj u zgjodhën më 23 prill, zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullsia serbe. 

mark rutte xavier bettel

Sondazh

Poll