Politike

Raporti vjetor i Prokurorisë/ Çela: Kemi pezulluar mbi 7 mijë dosje hetimi, s’dihej autori, Gjirokastra me përqindjen më të lartë të kriminalitetit

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, prezantoi raportin e veprimtarisë vjetore për vitin 2022

3 Korrik 2023, 12:39 Nga m.s
Raporti vjetor i Prokurorisë/ Çela: Kemi pezulluar mbi 7 mijë
Olsian Çela

TIRANË- Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, prezantoi raportin e veprimtarisë vjetore për vitin 2022. Në seancën e sotme plenare, Çela tha se ka një rritje konstante përsa i përket personave të dënuar. Po kështu ka përcjellë detaje sa i takon zhvillimit të hetimeve në lidhje me çështje të ndryshme penale, përfshirë krimin e organizuar, dhunën në familje, kultivimin e lëndëve narkotike apo shpërdorim të detyrës.

Ai deklaroi se për vitin që lamë pas, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100 mijë banorë e ka qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Gjirokastër.

Qarku Berat cili ka koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtare, rezulton me ulje 25,09 % krahasuar me vitin 2021. Gjatë bilancit që bëri, ai shtoi më tej se gjatë vitit 2022 është vendosur pezullimi i hetimeve për 7762 procedime, pasi nuk njihet autori.

Pjesë nga fjala në Kuvend:

Gjatë vitit 2022, organi i Prokurorisë në hetimet paraprake ka trajtuar 61114 materiale. Janë ndjekur gjithsej 48315 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 1,69 % në krahasim me vitin 2021, nga të cilat janë 25737 procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 9,27 % në krahasim me vitin 2021. Janë mbartur 21883 procedime penale, me rritje prej 20,21 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2021. Është vendosur mosfillimi i procedimit për 12799 referime dhe kallëzime penale. Numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me 33,88 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi. Në vitin 2022, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Gjirokastër.

Sa i përket tendencës, vërehet se rritjen më të lartë e ka qarku Shkodër me 10,64 %, ndërsa qarku Berati cili ka koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtar rezulton me ulje 25,09 % krahasuar me vitin 2021. Ndër grup-veprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara, evidentohet se -veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 29,45 %, por me një ulje 7,53 % krahasuar me vitin 2021. Veprat penale vjedhja e pasurisë përbëjnë 26,16 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, të cilat kanë ulje 14,87 % krahasuar me vitin 2021; -veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes  6,08 %, me një rritje prej 4,89 % në krahasim me vitin 2021; -veprat penale që cënojnë regjimin juridik të tokës me 5,05 %, që kanë ulje 33,62 % të numrit të procedimeve të regjistruara në krahasim me vitin 2021;

Ngritja e përfaqësimit të akuzës në gjykatë dhe ekzekutimi i vendimeve penale

-Gjatë vitit 2022 nga prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë është ngritur dhe përfaqësuar akuza në gjykatë në emër të shtetit për 11006 çështje (rritje prej 4,75 % në krahasim me vitin 2021) me 12958 të pandehur (rritje prej 4,90 % në krahasim me vitin 2021), të cilat përbëjnë 66.87 % të totalit të çështjeve në raport me çështjet e pushuara. Gjithashtu, janë paraqitur në gjykatë 13138 kërkesa për caktimin e masave të sigurimit personal (me ulje 9,84 % në krahasim me vitin 2021).

-Në vitin 2022 në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë është urdhëruar ekzekutimi i 9,146 vendimeve gjyqësore penale të formës së prerë (ulje 17,84 % krahasuar ne vitin 2021), janë ekzekutuar 4897 vendime penale dhe kanë mbetur pa u ekzekutuar 3806 vendime.

Efiçenca në përfundimin e ndjekjes penale dhe e kërkesave në gjykatë

-Gjatë vitit 2022 janë përfunduar 25853 çështje, me rritje të lehtë nga 2021, prej të cilave: 42,49 % janë dërguar për gjykim, 25,30 % janë pushuar, 30,03 % janë pezulluar .

-Janë dërguar 254 kërkesa për miratim urdhri penal, me 265 të pandehur ose krahasuar me vitin 2021 me ulje 3,79 % të kërkesave dhe ulje 1,49 % të pandehurve, -Janë dërguar 265 kërkesa për miratim të marrëveshjes së fajësisë, me 268 të pandehur ose krahasuar me vitin 2021 me ulje 49,04 % numrit të kërkesave për miratim marrëveshje si dhe refuzimi i miratimit të marrëveshjes dhe pushimi i çështjes në 5 raste ose me ulje 44,44% krahasuar me vitin 2021.

-Është kërkuar gjykimi i drejtpërdrejtë për 245 çështje me 247 të pandehur, që krahasuar me vitin 2021, përbëjnë ulje prej 11,87 % të numrit të çështjeve për të cilët është kërkuar ky lloj gjykimi.

-Gjatë vitit 2022, janë dërguar në gjykatë për pushim 5440 çështje, me rritje 16,09 % krahasuar me vitin 2021, prej të cilëve 41,91% janë pushuar për mungesë fakti. Nga të dhënat rezulton se për 140 çështje gjykata ka vendosur kthimin e akteve dhe vazhdimin e hetimeve ose me ulje 2.78 % krahasuar me vitin 2021, ndërsa për 6 çështje ka vendosur kthimin e akteve dhe urdhërimin e formulimit të akuzës, shifër e njëjtë me vitin 2021.

Gjatë vitit 2022, gjithashtu, është vendosur pezullimi i hetimeve për 7762 procedime për shkak se autori nuk njihet apo nuk është zbuluar autori i veprës penale ose me ulje prej 12,43 % e çështjeve të pezulluara krahasuar me vitin 2021".

olsian Çela

Sondazh

Poll