Politike

Basha: PD të bëhet gati për ndryshimin e madh! ‘Zgjon’ "Aleancën Qytetare për Demokracinë"

Basha ka artikuluar idenë e një aleance me intelektualë për forcimin e PD-së, të quajtur “Aleanca Qytetare për Demokracinë”.

1 Korrik 2023, 18:41 Nga m.s
Basha: PD të bëhet gati për ndryshimin e madh!
Lulzim Basha

KORÇË- Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me demokratët e Korçës. Ai ka deklaruar se orojekti i tyre politik, pjesë e së cilës është dhe platforma e ndryshimeve të sistemit elektoral, është reflektim dhe veprim i përbashkët i PD-së dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një model të ri politik. Rishfaqja e tij në politikë pas një viti shkëputje është bërë me platformën e vjetër të Vettingut të politikanëve, listave të hapura dhe kufizim të mandateve të kryeministrit. 

Basha ka artikuluar idenë e një aleance me intelektualë për forcimin e PD-së, të quajtur “Aleanca Qytetare për Demokracinë”.

Ai i mëshon faktit se me “Aleancën Qytetare për Demokraci” do çlirojnë ekonominë dhe do të çojnë përpara ndryshimet kushtetuese, që do të zhbëjnë marrëveshjen e 2008-ës, dhe do të mundësojnë listat e hapura, Vetting-un e politikanëve, votën e emigrantëve, kufizimin e mandateteve.

Kjo nuk është një ide e re, por është përcaktuar edhe në statutin aktual të PD, strukturë që nuk u ngrit kurrë. 

“Detyra e Partisë Demokratike është të bëhet sa më shpejt gati për ndryshimin e madh që duan shqiptarët. Ne do të përkushtojmë çdo energji në hapjen, vitalizimin dhe modernizimin e strukturave të Partisë Demokratike. Kjo kërkon angazhimin e secilit prej nesh në zgjerimin e formacionit tonë politik me përfshirjen e të gjitha grupimeve shoqërore, e të rinjve dhe të rejave, që besojnë te demokracia dhe një partneritet i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe.

Të lirë nga hijet e së shkuarës, kemi përgjegjësinë të japim një model te ri në politikbërjen e vendit. Me Aleancën Qytetare për Demokraci do çlirojmë ekonominë dhe do të çojmë përpara ndryshimet kushtetuese, që do të zhbëjnë marrëveshjen e 2008-ës, dhe do të mundësojmë listat e hapura, vetting-un e politikanëve, votën e emigrantëve, kufizimin e mandateteve.

Ne duhet të rrisim mekanizmat e kontrollit dhe llogaridhënies së qeverisë, pavarësisht kush e drejton atë. Për këtë arsye duhet të realizojmë ndryshimin e formulimit të Mocionit të besimit dhe atë të mosbesimit. Duhet të kërkojmë që numri i ministrive dhe rritja e Borxhit Publik të bëhen me ligj nga Parlamenti. Ne duhet të heqim kontrollin politik të qeverisë nga punonjësit e administratës, duke u dhënë atyre siguri në punë. Gjithashtu, zgjedhja e drejpërdrejt e Presidentit nga populli si mbartës dhe balancues i tre pushteve, garantues i mbarëvajtjes së jetës politike dhe i zgjidhjes së krizave, deri në të drejtën për të shpërndarë parlamentin.

Projekti ynë politik, pjesë e së cilës është dhe Platforma e ndryshimeve të sistemit elektoral, është reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një model të ri politik. Bashkë kemi mundësinë ta ndryshojmë këtë realitet dhe të çlirojmë potencialin e jashtëzakoshëm që ka Shqipëria!”, ka thënë Basha.

lulzim basha aleanca qytetare per demokracine

Sondazh

Poll