Aktualitet

“Përgjigjja më e mirë ndaj zemëratës është heshtja”, Arlind Qori: Si është të jetosh në një Tiranë të zhurmshme

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, përmes rasteve nga jeta e përditshme tregon se sa e vështirë është të jetosh në një komunitet në kryeqytet, ku gjithçka nis nga komshinjtë

30 Qershor 2023, 09:23 Nga m.s
“Përgjigjja më e mirë ndaj zemëratës
Arlind Qori

TIRANË- Tirana shpesh është cilësuar si qyteti më i zhurmshëm. Këtë shqetësim ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale edhe Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, i cili përmes rasteve nga jeta e përditshme tregon se sa e vështirë është të jetosh në një komunitet në kryeqytet, ku gjithçka nis nga komshinjtë. 

Në Tiranë, niveli i lartë i zhurmave lidhet me numrin e lartë të popullsisë dhe makinave ne qarkullim. Arlind Qori e mbyll reagimin e tij duke thënë se mbetet besnik i parimit se nuk merret në telefon policia për komshinjtë. Dhe se përgjigjja më e mirë ndaj zemëratës është heshtja.

Reagimi i plotë

Unë jetoj në një pallat që ka ngjitur një pallat tjetër, kurse përballë, as 20 metra, një pallat të dytë. Tri pallate që formojnë një cilindër me grykë të ngushtë. Akustika është e tillë që një njeri të teshtijë poshtë, të duket sikur po të ulërin një njeri në vesh.

Sidomos kur vjen vera, netëve hegjemoninë akustike mes tri pallateve e vendosin tri grupe. Grupi i parë, i përbërë nga adoleshentë, mblidhen e bëjnë muhabet poshtë. Çdo 2-3 minuta ia kërcet ndonjëri: “Hahahahahah, me rob shpije!” Ka raste kur kjo gumëzhimë vazhdon deri në 5 të mëngjesit.

Grupi i dytë janë komshijet ngjitur, një grup vajzash te të njëzetat. Deri nga ora 1 ose 2 e natës i ulërijnë njëra-tjetrës, herë me hare e herë për sherr. Edhe kërkesa të thjeshta si “më sill pak telekomandën!” përçohen me zërin kumbues të sopranove që s’kanë zbuluar akoma talentin e tyre.

Grupi i tretë janë mesoburrat në lokalin anash. Këta flasin pak, por ua do shpirti të dëgjojnë muzikë përmes një televizori që e kanë ngulur në murin e jashtëm të lokalit. Sot po u pikëllohet shpirti duke dëgjuar serenata korçare. I dëgjoj edhe unë. I dëgjojnë edhe qindra komshinj të tjerë.

Në të shumtën e rasteve kemi fat. Kur ulërin ose bilbilon njëri grup, dy të tjerët e bëjnë pushim. Ka edhe raste fatlume kur kombinohen të trija grupet dhe atëherë gjumi s’të merr dy net rresht.

Pak javë më parë po lexoja një libër për Romën në kohën e republikës. Autori theksonte që një nga problemet më të mëdha të plebenjve të qytetit ishte pagjumësia. Kjo vinte sepse natën nëpër kalldrëmin e qytetit zvarriteshin lloj-lloj qerresh, kalonin roje, ziheshin me grushte e thika pijanecë, gëlonte prostitucioni i rrugës etj. Shumë njerëz thjesht nuk flinin për ditë të tëra. Thua do jetë ky fati i afërt i Tiranës?

Nejse, pavarësisht gjithçkaje, unë mbetem besnik i parimit, në dukje absurd, se nuk merret në telefon policia për komshinjtë. Ndërkohë kujtoj stoikun Mark Aurel: “Përgjigjja më e mirë ndaj zemëratës është heshtja.”

arlind qorri

Sondazh

Poll