Aktualitet

E lindi dhe e vdiq Ariolën për 40 mijë lekë asistencë, dy mjekë dhe një agjenci funerale në hetim, nesër kryefamiljari del para Gjykatës

Prokuroria ka marrë në pyetje mjekun e familjes Sopaj, i cili ka pohuar me bindje të plotë se nuk ka lëshuar asnjë skedë vdekje për shtetasen që nuk ekzistonte, por që ishte regjistruar si Ariola Sopaj.

29 Qershor 2023, 17:41 Nga k.m.
E lindi dhe e vdiq Ariolën për 40 mijë lekë asistencë,
Foto ilustruese

KUKËS- Ngjarja e pazakontë e regjistruar në qytetin e Kukësit, ku Xhevit Sopaj, përmes falsifikimit të dokumenteve kishte arritur të “lindte” dhe të fuste në trungun familjar një fëmijë që nuk ekzistonte. Por përfundoi nën hetim nga Prokuroria e Kukësit. Sipas gazetarit Elton Qyno, i cili shkruan për "OraNews", një mjet ka falsifikuar lindjen e një fëmije më 13 nëntor të vitit 2002, derisa më pas një tjetër mjek ka "shpallur" vdekjen më 28 janar 2021.

Për këtë çështje prokuroria ka marrë në pyetje mjekun e familjes Sopaj, i cili ka pohuar me bindje të plotë se nuk ka lëshuar asnjë skedë vdekje për shtetasen që nuk ekzistonte, por që ishte regjistruar si Ariola Sopaj.

Mes subjekteve që është vënë në verifikim nga akuza, është dhe një funeral me emrin “Blini”, i cili në datën 15 janar 2021 rezulton të ketë lëshuar një kupon tatimor, ku vërtetohej shërbimi i ceremonisë së varrimit të shtetases fiktive 19-vjeçare Ariola Sopaj.

“… kuponi tatimor i paraqitur së bashku me vërtetimin e vdekjes, nuk përkon në koherencë datore, pasi kuponi i agjencisë funerale mban datën 15 janar 2021 ndërsa vërtetimi i vdekjes është përpiluar në 28 janar 2021…,” - thuhet në dosjen e prokurorisë së Kukësit.

Qëllimi i vetëm i 57-vjeçari Xhevit Sopaj, ka qenë zgjerimi i familjes së tij, duke shtuar një fëmije fiktiv. E gjitha kjo për të marrë asistencë nga shteti 40 mijë lekë të vjetra. Shumë të cilën e ka marrë që nga viti 2002. Ndihma ekonomike për këtë rast ndërprerë në fillim të Janarit 2021, kur 19-vjeçaria Ariola Sopaj është çregjistruar si e vdekur në Zyrën e Gjendjes Civile pranë Bashkisë Kukës.

Aktualisht në trungun familjar të tij, janë të rregjistruar 4 fëmijë. Pritet që ditën e nesërme Xhevit Sopaj të dalë para gjykatës së Kukësit, ku do njihet me masën e sigurisë, për dy akuzat “Mashtrim” dhe “Falsifikim të formularëve”.

 

xhevit sopaj ariola sopaj

Sondazh

Poll