Bota

Sulmi me granata në Mitrovicën e Veriut, MPB: Serbia po tenton sërish të ngrejë tensionet

Më tej, Ministria thekson se, sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë.

27 Qershor 2023, 11:12 Nga a.l
Sulmi me granata në Mitrovicën e Veriut, MPB: Serbia po tenton
Foto ilustruese

KOSOVË- Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) i ka cilësuar sulmet e njëpasnjëshme gjatë mbrëmjes në Veri të Kosovës si tentativa të Serbisë për të shtuar tensionet mes dy vendeve. Në një reagim zyrtar, MPB bën me dije se ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore. MPB shton se nga ky akt kriminal nuk ka të lënduar por vetëm dëme materiale në dy makina të cilat kanë qenë të parkuar aty pranë. 

“Mbrëmë në orët e vona, ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me mjet shpërthyes, që sipas ekspertizës dyshohet të jetë granatë dore e llojit M75. Nga ky akt kriminal, janë dëmtuar dhe dy vetura zyrtare që gjendeshin pranë objektit. Policia e Kosovës ka marrë masat e menjëhershme në investigimin e rastit dhe identifikimin e autorëve”, vijon reagimi.

Më tej, Ministria thekson se, sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë.

“Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në veri të vendit. Ne mbesim vigjilent dhe të angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet mes tjerash në reagim.

Tensionet në veri kanë rinisur që nga data 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë morën detyrën. Serbët lokalë kanë kërkuar dorëheqjen e tyre dhe kanë tentuar të futen me dhunë në objektet komunale. Serbët kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe ekipet e mediave. 

tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll