Ekonomi

Zhvillimi urban dhe turizmi, ende pa disbursuar 68 milionë USD, bilanci i projektit të BB

Në një vlerësim të ecurisë së projektit që ka një vlerë totale mbi 105 milionë USD Banka ka bërë një bilanc të punimeve të përfunduar dhe atyre në proces. Konkretisht deri më tani janë disburusar 38 milionë dollarë teksa mbetet ende e padisbursuar shumica e fondeve.

23 Qershor 2023, 07:30 Nga I.A
Zhvillimi urban dhe turizmi, ende pa disbursuar 68 milionë USD, bilanci i
Foto ilustruese

TIRANË- Zhvillimi i integruar urban dhe turizmi është një nga projektet kryesorë që Banka Botërore po mbështet në vendin tonë duke miratuar ende pa mbyllur paketën e parë një paketë të dytë. Në një vlerësim të ecurisë së projektit që ka një vlerë totale mbi 105 milionë USD Banka ka bërë një bilanc të punimeve të përfunduar dhe atyre në proces. Konkretisht deri më tani janë disburusar 38 milionë dollarë teksa mbetet ende e padisbursuar shumica e fondeve.

I planifikuar për t’u mbyllur në korrik të vitit të shkuar Banka pranoi shtyrjen për në korrik 2025 duke miratuar një paketë shtesë në projektin origjinal. Por cila është ecuria e komponentëve të projektit deri më tani.

Banka vlerëson se në komponentin e parë kanë përfunduar punimet civile të rrugës me kalldrëm të këmbësoreve tek Kalaja e Beratit dhe rrugët e aksesit të mjeteve, shëtitorja dhe shkallët e Sarandës, përmirësimi urban dhe ndriçimi i integruar në Përmet, rruga me kalldrëm e Pazarit të Gjirokastrës, sistemi i Muzeve dhe punimet rehabilituese në kalanë e Gjirokastrës.

Punimet civile të përmirësimit të integruar urban në Berat po realizohen ndërsa konsulenca e projektimit për përmirësimin e integruar urban në Sarandë dhe Gjirokastër është finalizuar dhe janë kontraktuar punimet civile.

“Komponenti 2. Kanë filluar punimet për përmirësimin e zonave turistike të Benjës dhe pikave panoramike përgjatë korridorit turistik, projektimi për përmirësimin e zonës turistike të Zvërnecit është finalizuar dhe janë kontraktuar punimet civile; konsulenca e projektimit për vendet turistike si Kalaja e Gjirokastrës Kalaja e Borshit, Kalaja e Kaninës dhe Shpella e Spillesë janë në zbatim.

Komponenti 3. Konsulenca për Strategjinë e Kërkimit dhe Zhvillimit të Tregut ka përfunduar. Shërbimet e konsulencës për Partneritetet e Menaxhimit të Destinacionit, Zhvillimi i Tregut për Jugun e Shqipërisë Paketa 1, dhe Zhvillimi i Produkteve Turistike dhe Sistemi i Statistikave të Turizmit aktualisht janë në zbatim. Ka përfunduar prokurimi për konsulencën për paketën 2 të zhvillimit të produkteve turistike” thuhet në dokumentin e bankës të bërë tashmë publik në faqen e saj.

Marrë nga Monitor.al

zhvillimi urban turizmi

Sondazh

Poll