Politike

PD publikon rezolutën: Riorganizimi përmes zgjedhjeve, të dëgjohet zëri i demokratëve përmes votës

Po ashtu theksohet se duhet që të organizohen të gjithë anëtarët dhe drejtuesit demokratë në mënyrë që tu shërbejnë demokratëve dhe dhe PD-së.

20 Qershor 2023, 14:02 Nga DOSJA
PD publikon rezolutën: Riorganizimi përmes zgjedhjeve, të

TIRANË- Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike të vulës është mbledhur ditën e sotme për organizimin e kësaj partie. Mësohet se në mbledhjen e sotme, është vendosur në Këshill se riorganizimi i PD-së bëhet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të ndershme duke nisur më zgjedhjen e kryetarit dhe më pas të të gjithë organeve drejtuese të tjera. Po ashtu theksohet se duhet që të organizohen të gjithë anëtarët dhe drejtuesit demokratë në mënyrë që tu shërbejnë demokratëve dhe dhe PD-së.

Njoftimi:

Këshilli Kombëtar- i Partisë Demokratike, i mbledhur sot, në 20 qershor 2023, si organi më i lartë i Partisë Demokratike midis dy Kuvendeve, në përmbushje të përgjegjësive të veta politike dhe statutore,
- Diskutoi mbi situatën në Partinë Demokratike duke vërejtur me shqetësim zhvillimet politike dhe përpjekjet për të anashkaluar dhe tejkaluar konsultimin, diskutimin dhe vendimmarrjen e Këshillit Kombëtar veçanërisht pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, 2023.
- Këshilli Kombëtar vlerëson se në këto momente përcaktuese për të ardhmen dhe ekzistencën e Partisë Demokratike është përgjegjësi e gjithsecilit, që nga anëtari më i thjeshtë e deri në organet drejtuese dhe përfaqësuese të saj, të veprojnë me pjekurinë, maturinë dhe vullnetin e duhur në shërbim të ngritjes, forcimit dhe shndërrimit të Partisë Demokratike në alternativë vlerash e parimesh që duhet të rezonojë me nevojat e shoqërisë shqiptare.
- Këshilli Kombëtar duke analizuar dhe reflektuar mbi ngjarjet dhe zhvillimet politike, mbi vendimmarrjet e munguara ose të vonuara nga organet drejtuese të Partisë Demokratike në harkun 15 muajve të fundit, konkludon se vetëm riorganizimi përmes një procesi zgjedhor transparent duke filluar me zgjedhjen e kryetarit të partisë dhe organeve të tjera drejtuese e organizative i shërben dhe mundëson ringritjen e Partisë Demokratike, aksionit të saj politik dhe përgatitjen për përballjen e ardhshme elektorale.
- Këshilli Kombëtar vëren se demokratët sot më shumë se kurrë kërkojnë vetëm të dëgjohet zëri dhe vullneti i tyre përmes votës, në shërbim të zgjidhjeve më të drejta për fuqizimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike si një parti që ruan vlerat dhe parimet euroatlantike me akte, jo me fjalë, një parti në bashkëpunim dhe alenacë të plotë me partnerët strategjikë, SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Europian.
- Këshilli Kombëtar për sa më sipër, në mbështetje të vendimmarjeve të Kryesisë së Partisë Demokratike ju bën thirrje të gjithë anëtarëve, drejtuesve dhe përfaqësuesve demokratë të angazhohen vendosmërisht duke i shërbyer të ardhmes së Partisë Demokratike dhe projektimit të saj si e vetmja forcë që mund të sjellë ndryshim.

Sondazh

Poll