Politike

"Kemi nevojë për maturi e mendimin ndryshe", Bardhi: S’ka kompromis për shpërbërjen e PD-së, kjo i intereson Ramës dhe regjimit të tij

Gazment Bardhi theksoi ndër të tjera se nuk do bëjnë kompromis për shpërbërjen e PD-së, dhe se beteja e kolegëve të tij ka vetëm një qëllim, për të qëndruar përballë pushtetit dhe për t’u kthyer në alternativë qeverisëse.

19 Qershor 2023, 15:38 Nga DOSJA
"Kemi nevojë për maturi e mendimin ndryshe", Bardhi:
Gazment Bardhi

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur për mediat se ndarja brenda partisë i intereson vetëm kryeministrit Edi Rama dhe ‘regjimit’ të tij. Në një prononcim të shkurtër, ai nënvizoi se PD-ja nuk ka nevojë për konflikte e debate të brendshme, pasi njoftoi bojkotimin e Këshillit Kombëtar ditën e nesërme nga 17 anëtarë të grupit parlamentar. Gazment Bardhi theksoi ndër të tjera se nuk do bëjnë kompromis për shpërbërjen e PD-së, dhe se beteja e kolegëve të tij ka vetëm një qëllim, për të qëndruar përballë pushtetit dhe për t’u kthyer në alternativë qeverisëse.

“Rruga që kemi nisur, nuk mund t’i ngjajë proceseve fiktive që e kanë dëmtuar PD-në në të shkuarën. Kjo është një histori e shëmtuar dhe anti-statutore, që nuk duhet të përsëritet më në Partinë Demokratike. Në këtë moment, PD-ja ka nevojë për maturi, jo konflikt, reflektim me jo urrejtje. Ka nevojë për mendimin ndryshe dhe jo përjashtime të reja. 

Kujt i shërben një tjetër konflikt në PD? Përse sajohen provokime dhe devijime nga statuti që na ndajnë, kur sot duhet të jemi bashkë. Kujt i intereson kjo ndarje? Di të them me siguri se është e qartë se ky nuk është interesi më i mirë i demokratëve dhe Shqipërisë. Një PD që humbet në debatet e brendshme, i intereson vetëm Edi Ramës dhe regjimit të tij.

Ky qëndrim nuk më shërben mua. Do ishte e lehtë të bënim rolin sa për të marrë një post, por ju siguroj se as nuk kemi dhe as nuk do bëjmë kompromis për shpërbërjen e PD-së. Nuk ka kompromis për këtë. Beteja e kolegëve të mi ka vetëm një qëllim, të qëndrojmë përballë pushtetit dhe të kthehemi në alternativë qeverisëse”, u shpreh ai.

Sondazh

Poll