Politike

Zgjedhjet në Rrogozhinë/Partia e Lirisë: SPAK të hetojë zyrtarët e lartë e të mos heshtë

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë, SPAK-ut në veçanti, për të nisur hetimin për zyrtarët e lartë në këtë manipulim.

17 Qershor 2023, 17:40 Nga DOSJA
Zgjedhjet në Rrogozhinë/Partia e Lirisë: SPAK të hetojë
Endrit Braimllari

TIRANE- Partia e Lirisë apelon ndaj Prokurorisë së Posaçme, që të vë në hetim zyrtarët e lartë, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor që shpalli të pavlefshme zgjedhjet e 14 majit në Rrogozhinë. Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë, SPAK-ut në veçanti, për të nisur hetimin për zyrtarët e lartë në këtë manipulim.  

“Në Bashkinë e Rrogozhinës, ku kandidati i ‘Bashkë Fitojmë’ Shkëlqim Hoxha dukshëm ishte fitues në të gjitha kutitë, dhe duhej vetëm kutia e votimit në burgun e Rrogozhinës për të përmbysur rezultatin. I bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë, SPAK-ut në veçanti që nuk ka arsye të heshtë. 

Tani që ka pavlefshmëri të kutisë së burgut të Rrogozhinës, duhet të kishte nisur hetimin për zyrtarët e lartë në këtë manipulim. Duke filluar nga Edi Rama, Erion Veliaj si sekretar politik, Ulsi Manja, Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve dhe Drejtorin e Burgut të Rrogozhinës. Është e qartë që skema e Rilindjes ka qenë e njëjtë në të gjithë Shqipërinë, duke sjellë në krye kryetarë bashkie të papërgjegjshëm, arrogantë, shkelës të ligjit që vënë interesin personal mbi atë të qytetarëve", tha nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari.

Trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor vendosi që të shpallë të pavlefshme zgjedhjet vendore në bashkinë e Rrogozhinës, dhe urdhëroi ripërsëritjen e tyre për zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë. Vendimi në fjalë u mor pas padisë së koalicionit opozitar 'Bashkë Fitojmë', që kontestonte rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve dhe vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve për njohjen e tyre.

Kujtojmë këtu se kutia e burgut u numërua e fundit gjatë procesit të numërimit, dhe ishte ajo që ktheu përmbys rezultatin e ngushtë mes dy kandidatëve, duke i dhënë fitoren kandidatit socialist, Edison Memolla.

Sondazh

Poll