Sport

Lufta në Ukrainë/ Lojtari i Arsenalit, Oleksandr Zinchenko i tronditur… Nuk do të shtrëngojë më duart me sportistët rusë

Pas një vizite në vendlindje, mesfushori ukrainas po bën thirrje që rusët dhe bjellorusët të përjashtohen nga të gjitha garat sportive.

15 Qershor 2023, 12:20 Nga DOSJA

Lufta në Ukrainë/ Lojtari i Arsenalit, Oleksandr Zinchenko i

ANGLI - Oleksandr Zinchenko nuk do t’i përshëndesë më kundërshtarët e tij rusë dhe bjellorusë. Në një intervistë me gazetarin anglez Piers Morgan, mesfushori i Arsenalit shprehu edhe një herë frikën dhe zemërimin e tij kur fliste për pushtimin rus të Ukrainës.

“Nuk ka më asnjë shans që unë të shtrëngoj duart me një rus. Duhet të jem i sinqertë, nuk do ta pranoj kurrë reagimin e tyre,- këmbënguli ai. - Mund t'i thuash vetes se nuk po bëjnë asgjë kundër nesh, apo diçka të tillë. Por po, ata janë bashkëpunëtorë. Si? Sepse nuk reagojnë. Nëse askush nuk dëshiron të flasë sepse është i frikësuar, atëherë më vjen keq. Mos na quani më vëllezër, siç keni bërë në të kaluarën. Kurrë më ".

Ndërkombëtari ukrainas ripohoi gjithashtu dëshirën e tij për të mos parë më sportistë rusë dhe bjellorusë të evoluojnë në garë. “Unë jam një nga ukrainasit, që nuk më pëlqen t'i shoh në nivelin më të lartë në asnjë sport,- siguron ai. - Sigurisht, ata nuk duhet të lejohen të konkurrojnë. Për çfarë? Sa bomba dhe raketa janë dërguar nga Bjellorusia”,- tha ai. 

Së fundi, ai tha se ishte i gatshëm të luftonte nëse do të thirrej ndonjëherë për t'iu bashkuar "thirrjes së fundit". “Nuk e shoh veten të fshehur diku”,- u shpreh ai.

Një ndeshje solidariteti e organizuar në Londër më 5 gusht

Një ditë më parë, në fjalët e raportuara nga “Daily Mail”, ai kishte dëshmuar për tmerrin që kishte përjetuar gjatë rrugës për në Ukrainë javët e fundit, përkrah Andriy Shevchenkos, figurë e futbollit ukrainas. "Imagjinoni të përpiqeni të flini natën, me fëmijët tuaj, dhe papritmas dëgjoni sirenat,- thotë ai. - Duhet të zgjoheni, të shkoni në një bunker dhe të fshiheni, përndryshe rrezikoni të humbni jetën ose shtëpinë tuaj. Asnjëherë nuk e dini se ku mund të zbresin bombat dhe raketat…”.

“Të jetosh qoftë edhe një javë në ato kushte, në situatën aktuale në Ukrainë, ishte e frikshme”,- shtoi mesfushori i Arsenalit. Ai po përgatitet gjithashtu të organizojë një ndeshje solidariteti në Londër më 5 gusht, të quajtur “Game4Ukraine”. Fondet e mbledhura do të përdoren veçanërisht për rindërtimin në Ukrainë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll