Ekonomi

Yield-et e obligacioneve 7-vjeçare zbresin në nivelin më të ulët në një vit

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i uniform i këtyre instrumenteve në ankandin e rihapjes, që u zhvillua të mërkurën zbriti në 5.08%, nga 5.21% që kishte qenë në ankandin fillestar të muajit maj.

15 Qershor 2023, 07:07 Nga A.B

Yield-et e obligacioneve 7-vjeçare zbresin në nivelin më

Yield-et e obligacioneve 7 vjeçare pësuan përsëri rënie në ankandin e këtij muaji.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i uniform i këtyre instrumenteve në ankandin e rihapjes, që u zhvillua të mërkurën zbriti në 5.08%, nga 5.21% që kishte qenë në ankandin fillestar të muajit maj.

Pjesëmarrja e investitorëve në ankand ishte mjaft e lartë, me një shumë totale të kërkuar prej gati 3.7 miliardë lekësh, nga 2.5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur e obligacioneve të nxjerra në shitje nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Yield-et e obligacioneve 7-vjeçare kanë zbritur tashmë në nivelin më të ulët prej një viti. Ato nisën një rritje të shpejtë vitin e kaluar, pas ndryshimit të kursit të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë.

Kulmi i rritjes së yield-eve për këto obligacione u arrit në dhjetor 2022, kur ato arritën nivelin rekord prej 7.98%. Por, duke filluar nga fillimi i këtij viti, edhe yield-et e këtyre instrumenteve pësuan një korrigjim të shpejtë në rënie dhe tashmë kanë zbritur në nivelet më të ulëta në një vit.

Rënia e shpejtë e yield-eve dëshmon se tregu paraqitet më i stabilizuar, ndërsa pasiguria e investitorëve, e lidhur me pritjet për inflacionin dhe normat e interesit është zbutur ndjeshëm. Yield-et e obligacioneve 7-vjeçare kanë rënë në një nivel ku vetëm në muajin janar të këtij viti ndodheshin yield-et e bonove 12 mujore.

Ky cikël nuk është frenuar as nga rritja e re e normës bazë të interesit, e aplikuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në muajin mars.

Rënia e normave, sidomos në segmentin e instrumenteve afatgjata, reflekton besimin e tregut se inflacioni do të vendoset gradualisht nën kontroll, edhe falë sinjaleve të qarta në rënie që janë regjistruar në muajt e fundit.

Nga ana tjetër, rënia e yield-eve është gjithashtu një tregues i gjendjes likuide të tregut financiar në vend. Këtë vit, pjesëmarrja në ankande apo konkurrenca mes investitorëve për të blerë bonot dhe obligacionet e qeverisë shqiptare është rritur ndjeshëm.

Kjo është ndikuar ndjeshëm nga reduktimi i pasigurisë mes investitorëve të specializuar, por në një masë më të vogël edhe nga rritja e pjesëmarrjes së individëve. Duke filluar nga viti i kaluar, është regjistruar një rritje e fortë e pjesëmarrjes së individëve në ankande, sidomos në ato të bonove të thesarit, për shkak të joshjes nga rritja e yield-eve.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) treguan se blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve arritën në 15.1 miliardë lekë, me një rritje rekord prej 67.9% krahasuar me një vit më parë.

Ulja e yield-eve në pjesën e parë të këtij viti e ka zbutur ndjeshëm shqetësimin për rritjen e kostos së huamarrjes së brendshme të qeverisë shqiptare.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, rritja vjetore e shpenzimeve për interesat e borxhit të brendshëm në tremujorin e parë të vitit u ngadalësua ndjeshëm në 1.9%, nga pothuajse 3.2% që kishte qenë kjo rritje për vitin 2022. /MONITOR

yield

Sondazh

Poll