Ekonomi

Yield-et e bonove 12-mujore bien sërish, gjithnjë e më afër normës bazë të interesit

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar i këtyre instrumenteve zbriti më tej në 3.29%, nga 3.44% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Ky është yield-i më i ulët i bonove 12-mujore të thesarit që prej gushtit të vitit të kaluar.

14 Qershor 2023, 07:13 Nga A.B

Yield-et e bonove 12-mujore bien sërish, gjithnjë e më afër

Yield-et e bonove 12-mujore të thesarit kanë pësuar një rënie të mëtejshme në ankandin e kësaj jave, duke shënuar një minimum të ri për 10 muajt e fundit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar i këtyre instrumenteve zbriti më tej në 3.29%, nga 3.44% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Ky është yield-i më i ulët i bonove 12-mujore të thesarit që prej gushtit të vitit të kaluar.

Në ankandin e ditës së martë, vlera totale e kërkesave arriti në më shumë se 12.2 miliardë lekë, nga 7.5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Pro rata e ofertave konkurruese pësoi rënie të ndjeshme në nivelin 27.16%, nga 63.45% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Një ndikim në uljen e pro rata-s ka pasur edhe fakti që pothuajse gjysma e shumës së bonove të emetuara në këtë ankand ishin të rezervuara nga Banka e Shqipërisë. Sipas rregullave të ankandit, shuma e rezervuar për Bankën e Shqipërisë blihet me yield-in mesatar të kërkesave konkurruese të pranuara. Në këtë mënyrë Banka e Shqipërisë nuk merr pjesë në ankand me kërkesa konkurruese dhe nuk e ndikon në mënyrë direkte yield-in, por fakti që një pjesë e konsiderueshme e shumës rezervohet për të e rrit konkurrencën mes pjesëmarrësve të tjerë, duke ndikuara në uljen e pro-rata-s dhe të yield-it mesatar.

Yield-i mesatar i bonove 12-mujore ka rënë me pothuajse 2.2 pikë përqindje që nga fillimi i vitit dhe me më shumë se 2.5 pikë përqindje që nga nëntori 2022, kur preku edhe nivelin më të lartë të dekadës së fundit.

Yield-et bonove 12-mujore po bien prej afërsisht prej shtatë muajsh radhazi. Rënia e yield-eve ishte pjesërisht një korrigjim i rritjes shumë të lartë që u regjistrua vitin e kaluar, sidomos në periudhën mes muajve gusht dhe nëntor. Kjo tendencë u ndikua ndjeshëm nga rënia e inflacionit dhe frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë.

Këtë vit Banka e Shqipërisë e ka rritur vetëm njëherë normën bazë të interesit, nga 2.75% në 3%, në muajin mars. Megjithatë, as rritja e normës bazë nuk e ka ndikuar shumë tregun e instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare dhe yield-et kanë vazhduar të bien.

Likuiditeti i lartë në treg dhe alternativat e pakta të investimit financiar po e mbajnë të lartë kërkesën në tregun primar të bonove dhe obligacioneve. Kjo ka krijuar një situatë të volitshme për qeverinë shqiptare, duke ulur ndjeshëm koston e huamarrjes së brendshme në pjesën e parë të këtij viti. Madje, Ministria e Financave në tremujorin e parë shfrytëzoi kushtet e favorshme për të marrë hua edhe më të mëdha se parashikimet.

Edhe këtë vit afërsisht gjysma e deficitit buxhetor të planifikuar do të financohet nëpërmjet huamarrjes së jashtme. Për këtë qëllim, në muajin qershor qeveria shqiptare siguroi një huamarrje prej 600 milionë eurosh, nëpërmjet emetimit të Eurobondeve 5-vjeçare.

Lëvizjet e mësipërme pritet ta mbajnë të ulët kërkesën për hua në gjysmën e dytë të vitit dhe të rrisin më tej likuiditetin e lirë në treg. Ky faktor mund t’i mbajë sërish të ulëta presionet për rritjen e yield-eve gjatë javëve në vazhdim, duke zbutur sinjalet e reja që mund të vijnë nga politika monetare e Bankës së Shqipërisë.

Është e pritshme që Banka e Shqipërisë të vazhdojë me rritjen e normës bazë të interesit, me shumë të ngjarë qysh në mbledhjen e ardhshme, të datës 3 korrik, duke parë nivelet e larta të inflacionit bazë dhe presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme.

Rënia e yield-eve të instrumenteve të borxhit të qeverisë këtë vit e ka frenuar disi mekanizmin e transmetimit të politikës monetare. Aktualisht, marzhi i bonove 12-mujore është vetëm 0.29 pikë mbi normën bazë të interesit, pranë niveleve më të ulëta historike. Në një vit, yield-i mesatar i bonove 12-mujore është rritur me vetëm 0.79 pikë përqindje, ndërsa për të njëjtën periudhë norma bazë e interesit është rritur me 2 pikë përqindje.

Rënia e yield-eve të bonove ka ulur ndjeshëm presionet për rritjen e normave të interesit të depozitave dhe të kredive, duke mos dhënë efektin e synuar në frenimin e kërkesës në ekonomi, në funksion të objektivit për uljen e inflacionit. /MONITOR

bono

Sondazh

Poll