Sport

Dani Alves: "Pafajësia ime do të vërtetohet"

Mbrojtësi veteran brazilian mbetet në paraburgim i akuzuar për përdhunim, por ende nuk pranon fajësinë

13 Qershor 2023, 22:24 Nga DOSJA
Dani Alves: "Pafajësia ime do të vërtetohet"

SPANJE - Kërkesa për lirimin me kusht nga avokatët e Dani Alves është refuzuar edhe një herë nga gjykata kompetente në Barcelonë, pasi ish-asi i Barcelonës u cilësua si i arratisur.

“Nuk ka masa dhe garanci të mjaftueshme për të shmangur largimin e tij të mundshëm jashtë vendit...”, thuhet ndër të tjera në vendimin me Alves duke plotësuar 6 muaj burg pas denoncimit të një 23-vjeçareje për abuzim seksual të pësuar nga braziliani në një lokal të Barcelonës.

Ky zhvillim i veçantë shkaktoi zhgënjim te futbollisti i cili duke folur me gazetarin Nacho Abad (duke prezantuar një emision televiziv) përsëriti edhe një herë se është i pafajshëm dhe nuk po mendon të largohet nga Barcelona në asnjë rrethanë.

“Vetëm dy persona e dinë se çfarë ka ndodhur dhe sidomos çfarë nuk ka ndodhur. Unë po them të vërtetën. Mendoj se të gjithë e kuptojnë që unë po përpiqesha të shpëtoja martesën time dhe për këtë arsye thashë atë që thashë në radhë të parë. Kjo ishte arsyeja e vetme dhe nuk kam asgjë për të fshehur. Flitet për versione të pafundme nga ana ime, por realiteti është se unë kam dëshmuar vetëm dy herë para gjyqtarit”, rrëfeu braziliani dhe vazhdoi:

“Unë jam në burg që nga 20 janari dhe nuk jam gjykuar ende. Do të vërtetohet që nuk jam fajtor dhe se ka qenë një marrëdhënie konsensuale. Nuk do të më shkonte kurrë ndërmend t'i detyroj dikujt aktin seksual, siç është shkruar”.

Alves gjithashtu vuri në dukje se nëse do të donte të largohej nga vendi, do ta kishte bërë që në momentin e parë, por në vend të kësaj "Unë shkova në polici me dëshirën time nga Meksika dhe refuzova të shkoja në Brazil, një vend që nuk do të bashkëpunonte me Spanja për dorëzimin tim. E bëra për të mbrojtur veten dhe për të provuar pafajësinë time”, ndërsa sqaroi se dëshiron të vazhdojë të jetojë në Barcelonë: Jeta ime është këtu. Kam pasur dhe kam gjithmonë një plan për të jetuar në Barcelonë”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll