Bota

Vrasja e gazetarit investigativ grek, arrestohen dy vëllezër, njëri përdori mjetin e një kompanie pastrimi. E kishte gruaja e tij

Sipas informacioneve, dy të arrestuarit kishin një rol mbështetës për vrasësit në rastin e vrasjes së Giorgos Karaivaz.

28 Prill 2023, 19:28 Nga k.m.
Vrasja e gazetarit investigativ grek, arrestohen dy vëllezër,
Giorgos Karaivaz

GREQI- Dy vëllezër, 40 dhe 48 vjeç janë arrestuar nga Policia greke për rastin e vrasjes së gazetarit, Giorgos Karaivaz. Lajmin për arrestimet e ka bërë të ditur fillimisht ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, Takis Theodorikakos, i cili përmes një postimi ka bërë të ditur se Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e rastit, ndërsa paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një ekzekutim mafioz.

Si i gjurmoi policia 2 vëllezërit?

Sipas informacioneve, dy të arrestuarit kishin një rol mbështetës për vrasësit në rastin e vrasjes së Giorgos Karaivaz. Njëri prej tyre ishte në një motor dhe tjetri në një furgon, i cili ishte edhe ai që "tradhtoi" autorët. Forcat e Policisë greke "ELAS-i" kanë vënë në gjurmë motorin, i cili nga të dhënat e marra nga pamjet e siguruara nga kamerat në zonën më të gjerë ku ndodhi vrasja, udhëtonte për disa kohë me një furgon. Ky furgon u konstatua se i përkiste një kompanie pastrimi në pronësi të bashkëshortes së njërit prej dy vëllezërve të arrestuar.

I njëjti furgon u pikas nga kamerat një ditë më parë duke lëvizur pranë shtëpisë së Karaivazit, ditën që vrasësit e tij dyshohet se kanë bërë “provën e fundit”.

Giorgos Karaivaz, u vra mesditën e 9 prillit 2021, jashtë shtëpisë së tij në Alimos. Gazetari sapo ishte kthyer nga televizioni Star në Kifisia, ku punonte, kur dy vrasësit e qëlluan për vdekje pasi parkoi makinën pranë një parku të vogël. Një nga dy burrat qëlloi gazetarin nga një distancë e afërt të paktën 13 herë, duke i marrë jetën në vend./Protothema

giorgos karaivaz

Sondazh

Poll