Politike

Arlind Qori tregon planet për Tiranën: Do ndalojmë këtë kanibalizëm urban! Veliaj, më i korruptuari, Këlliçi do bëhet si ai

Arlind Qori u shpreh se nëse vjen në krye të punëve të bashkisë do të ndalojë ndërtimet në unazën e brendshme të Tiranës, ndërsa brenda Unazës së Madhe do të ketë një moratorium 2-vjeçar për ndërtimet.

26 Prill 2023, 23:41 Nga k.m.
Arlind Qori tregon planet për Tiranën: Do ndalojmë këtë
Arlind Qori

TIRANË- Kandidati i "Lëvizjes Bashkë" për Bashkinë e Tiranës, Arlind Qori ka folur për programin e tij për kryeqytetin nëse fiton zgjedhjet lokale të 14 majit. I ftuar në emisionin “Opinion” ku foli për programin e tij për kryeqytetin, Arlind Qori u shpreh se nëse vjen në krye të punëve të bashkisë do të ndalojë ndërtimet në unazën e brendshme të Tiranës, ndërsa brenda Unazës së Madhe do të ketë një moratorium 2-vjeçar për ndërtimet.

“Gjëja e parë që do bëjmë ne është që në Unazën e Brendshme të Tiranës nuk do të ndërtohet më kurrë. Brenda Unazës së Madhe të Tiranës do të ketë një moratorium dy vjeçar për të studiuar dhe për të hartuar një plan të ri urbanistik që do të shohë me prioritet parqet, këndet e lojërave, terrenet sportive dhe trotuaret. Sot në Tiranë nuk ke ku të ecësh në këmbë. Sot në Tiranë ngec në trafik. Sot në Tiranë nuk ka asgjë. Po zhduket çdo park. Edhe ai parku që është anash Bibliotekës Kombëtare është dhënë leje ndërtime. Nga të fundit parqe që kanë ngelur është dhënë leje ndërtimi. Çdo vit tek parku i madh i liqenit ngrihet nga një gradaçelë e re, ndryshojnë kufijtë e zonës së mbrojtur. Ajo që do bëjmë ne është gjëja e parë do ndalojmë këtë masakrim urban, këtë lloj kanibalizmi urban. Do të tentojmë ta drejtojmë ekonominë e qytetit nga ndërtimi drejt sektorëve produktivë. Shqipëria ka nevojë për një model të ri dhe të qëndrueshëm zhvillimi. Llaç e tulla e kulla për turistë imagjinarë ku thjesht pastrohen paratë e pista ky model zhvillimi është i dështuar,”- u shpreh Qori.

Ndërsa komentoi edhe kundërshtarët që ka përballë në këto zgjedhje, duke i cilësuar si të korruptuar. 

"Kemi betejë edhe politike, por edhe lokale. Sepse qyteti nuk kuptohet dot pa kontekstit politik. Ne jemi e vetmja parti që ka program për Tiranën, 30 faqe. Asnjë tjetër, as PD, as PS nuk kanë program për Tiranën. Kanë premtime, ëndërrime. Ka analiza të thelluara. Iu ftoj që t'i kërkoni programet e tyre. Unë nuk kam gjetur asgjë. Ne jemi aktivistë në shumë vite, por ne nuk kemi fonde për të bërë fushatë. Ne pasanikët dhe oligarkët na kanë halë në sy. Ne kemi fonde vetëm tek mbështetësit tanë. Ne nuk e duam shumë njëri-tjetrin. Kemi arsye dhe ne për ta, edhe ata për ne. Erion Veliaj është një nga zyrtarët më të korruptuar të historisë. Këlliçi është një Veliaj potencial sepse është produkt i një partie po aq të korruptuar. Për ne fjala dhe vepra është e njëtat gjë, kur themi diçka e bëjmë. Thatë që populli meriton politikanët, është kjo tezë, por mendoj që na kanë kapur disa banditë dhe nuk na lëshojnë,"-shtoi Qori.  

arlind qori zgjedhjet lokale 14 maj 2023

Sondazh

Poll