Politike

Dështon gjykimi për Inceneratorin e Fierit, nuk paraqitet Koka dhe Bllako, seanca e radhës mbahet më 10 maj

Ata akuzohen për pastrim parash, shpërdorim detyre dhe korrupsion.

24 Prill 2023, 12:22 Nga I.A
Dështon gjykimi për Inceneratorin e Fierit, nuk paraqitet Koka dhe
GJKKO

TIRANË- Seanca e parë gjyqësore për inceneratorin e Fierit ka dështuar. Kjo seancë pritej që të mbahej ditën e sotme, por është shtyrë. Shkak për shtyrjen është bërë mos njoftimi i një prej personave të marrë të pandehur. Po ashtu në seancën e sotme nuk ishin të pranishëm as ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe as ish-deputeti socialist, Alqi Bllako. Ata akuzohen për pastrim parash, shpërdorim detyre dhe korrupsion. Seanca e radhës do të mbahet më 10 maj, në orën 09:00.

Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka mbyllur hetimet për Inceneratorin e Fierit dhe u ka komunikuar akuzat 21 të pandehurve, mes tyre ish-deputeti i Partisë Socialiste Alqi Ballko dhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka. Në njoftimin zyrtar të SPAK, njoftohet se është kërkuar edhe sekuestroja preventive e kompanisë së inceneratorëve, “Integrated Technology Waste Treatment Energy” sh.p.k.

SPAK thotë se ka faktuar se Alqi Bllako, në cilësinë e punonjësit në Ministrinë e Mjedisit, ka përfituar 14.9 milionë lekë përmes pagës së të atit, Edmond Bllako, duke u paraqitur si drejtor kantieri në inceneratorin e Tiranës me pagë 6 mijë euro, me pagesa nga 2018-a në 2020. Ndërsa Lefter Koka, në cilësinë e Ministrit të Mjedisit ka përfituar 146 milionë lekë për dhënien e koncensionit të ndërtimit të inceneratorit.

Të akuzuar nga SPAK janë: Lefter Koka, Alqi Bllako, Pëllumb Abeshi, Sabina Cenameri, Florjan Muçaj, Azem Shateri, Erjon Murataj, Etleva Kondi, Arben Dervishaj, Klodian Zoto, Arenc Myrtezani, Loran Dusha, Giuseppe Ciaffaglione, Arjola Kodra, Arbër Denizi, Juri Ymeraj, Silvestër Driza, Regan Merdani, Robert Shabani, Enver Sheshi dhe Gentian Zifla.

alqi bllako lefter koka inceneratori i fierit

Sondazh

Poll