Politike

Uji 'përplas' Tiranën me Shkodrën. Veliaj: Fatura ka 708 lekë të reja vetëm taksa. Spahia: Është 4 lekë më pak, por je gabim sepse na krahasove me Dajtin

Sipas Veliajt, një qytetar i Shkodrës paguan 708 lekë të reja taksë në faturën e ujit, ndërkohë një familje në Tiranë paguan vetëm 484 lekë të reja. Bashkia Shkodër shton gjithashtu se kjo deklaratë nuk qëndron pasi krahasimi i Veliajt është bërë mes nje familje që jeton në Shkodër (qytet) që paguan shumën 704 lekë (të reja) në muaj, dhe një familje që jeton në njësinë Administrative Dajt që paguan shumën 480 lekë. Nëse, do të bëhej krahasim i saktë midis një familje që paguan taksa në qytetin e Shkodrës me atë qe paguan në qytetin e Tiranës, do të rezultonte se në Shkodër paguhen 704 lekë, ndërsa në Tiranë, 1 mijë e 180 lekë.

22 Prill 2023, 19:36 Nga F.M
Uji 'përplas' Tiranën me Shkodrën. Veliaj: Fatura ka
Erion Veliaj dhe Bardh Spahia

TIRANË- Fushata e zgjedhjeve lokale ka sjellë dhe përplasje, këtë herë, jo mes kandidatëve të të njëjtës zonë. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj publikoi faturat e ujit në mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe i krahasoi ato me Tiranën. Teksa komentonte premtimin e kandidatit të Opozitës, Belind Këlliçi, për autobusët falas, Veliaj tha se ndoshta kjo gjë duhet të ndodhë në Shkodër, ku qytetarët sipas tij, paguajnë më shumë se Tirana për ujin. Sipas Veliajt, një qytetar i Shkodrës paguan 708 lekë të reja taksë në faturën e ujit, ndërkohë një familje në Tiranë paguan vetëm 484 lekë të reja.

“I kam pyetur: Na e tregoni si bëhet autobusi falas në Shkodër, ku ka vetëm një linjë, jo 39 siç ka Tirana. Por, tani nxjerrin një teori tjetër dhe thonë: Nuk kemi mundësi sepse i kemi taksat shumë më të ulëta se Tirana. Unë i pari mendova, rrezik kështu është vërtet, mbase i kanë më të ulëta taksat në Shkodër. Por në një moment thashë pse mos ta kontrolloj vetë njëherë dhe mora dy fatura: faturën e UKT (për Tiranën) dhe faturën e UKSH (për Shkodrën), ku mblidhen taksat e bashkive. Në Shkodër, taksa dhe tarifa familjare (nuk e thotë as specifikimin për çfare) është 708 lekë të reja. Pra, 7 mijë lek të vjetra taksa për familje. Të shohim si krahasohet me tonën: Ne i kemi të specifikuara, pra kemi Tarifë Pastrimi 100 lekë të reja, plus Taksë e Përkohshme e Infrastrukturës arsimore 150 lekë të reja (po kaq ka qenë edhe në kohën e Lulit se ka qenë taksa e gjelbërimit) dhe taksa për ndërtesën 250 lekë të reja, sipas metrave katrorë përkatës (rasti që po flasim është shtëpi e madhe, por kjo taksë mund të jetë edhe më e vogël nëse shtëpia ka më pak metra katrorë). Në total, 100+150+234 janë 484 lekë të reja ose 4 mijë 840 lekë të vjetra. Pra, Bashkia e Shkodrës mbledh nga familjarët më shumë taksë, 708 me 484, dhe nuk e bën dot asnjë linjë autobusi falas. Kjo është llogaria,”- tha Veliaj.

Këtyre akuzave u është përgjigjur sot kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia. Në një postim në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër, sqarohet se detyrimi për taksat në këtë rajon është në bazë të njësisë administrative ku jeton. Në Bashkinë Shkodër, sipas postimit, një familje paguan 704 lekë (të reja) në muaj, 4 lekë më pak seç tha Veliaj. Bashkia Shkodër shton gjithashtu se deklarata e Erjon Veliajt se një qytetar shkodran paguan dy herë më shumë se një banor i kryeqytetit nuk qëndron, pasi krahasimi i tij është bërë mes nje familje që jeton në Shkodër (qytet) që paguan shumën 704 lekë (të reja) në muaj, dhe një familje që jeton në njësinë Administrative Dajt që paguan shumën 480 lekë. Nëse, do të bëhej krahasim i saktë midis një familje që paguan taksa në qytetin e Shkodrës me atë qe paguan në qytetin e Tiranës, do të rezultonte se në Shkodër paguhen 704 lekë, ndërsa në Tiranë, 1 mijë e 180 lekë.

Postimi i Bashkisë Shkodër:

Deklaratë për shtyp! Pasi i ka “rregulluar” punët e Tiranës, tashmë Erion Veliaj gjen kohën të bëjë fushatë duke ndjekur modelin e asaj që di të bëjë më mirë, artikulimin e të pavërtetave. Këtë gjë e bëri para pak ditësh nga salla e këshillit bashkiak të kryeqytetit, duke bërë politikë me dy fatura të pagesës së ujit të pijshëm, njëra që i përket qytetit të Shkodrës dhe tjetra një njësie administrative të Tiranës. E ndjejmë për detyrim të sqarojmë opinionin publik dhe jo dezinformuesin që mban detyrën e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit se: Detyrimi për taksat dhe tarifat vendore sipas VKB nr.1, datë 22.01.2016 “Për taksat dhe tarifat vendore në Bashkinë Shkodër”, të ndryshuar”, nuk është i njëjtë për të gjithë Bashkinë Shkoder, por ndryshon sipas njësive administrative.
1. Për Njesinë Administrative qytet Shkoder, një familje paguan 704 lekë (të reja) në muaj të ndara:
a) tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave në shumën 287 lekë në muaj;
b) tarifa e ndriçimit në shumën 125 lekë në muaj;
c) tarifa e gjelbërimit në shumën 50 lekë në muaj;
d) taksa e ndërtesës në shumën 242 lekë në muaj;
2. Për njësitë administrative Rrethina, Postribë, Gur i Zi, Berdicë, Ana e Malit, Dajç dhe Velipojë, një familje paguan 392 lekë (të reja) në muaj të ndara:
a) tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave në shumën 163 lekë në muaj;
b) tarifa e ndriçimit në shumën 60 lekë në muaj;
c) taksa e ndërtesës në shumën 169 lekë në muaj;
3. Për njesitë administrative Pult, Shalë dhe Shosh, një familje paguan 290 lekë (të reja) në muaj të ndara:
a) tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave në shumën 121 lekë në muaj;
b) taksa e ndërtesës në shumën 169 lekë në muaj;
Referuar, Vendimit nr.158, datë 26.12.2019 të Keshillit Bashkiak Tiranë, “Për miratimin e sistemit të taksave dhe tarifave vendore në qytetin Tiranë”,të ndryshuar”, Aneksi nr.6, tarifa e pastrimit për qytetin e Tiranës është 5.000 lekë në vit, për njësitë administrative Dajt, Farke, Kashar 2.000 lekë në vit, për njesitë e tjera administrative 1.000 lekë në vit. Ndersa nje qytetar në Njësinë Administrative qytet Shkodër paguan tarifë pastrimi 3.250 leke në vit, në Njesitë Administrative Rrethina, Postribë, Gur i Zi, Berdicë, Ana e Malit, Dajç dhe Velipojë paguan 1.950 lekë në vit dhe në Njësitë Administrative Pult, Shalë dhe Shosh 1.450 leke në vit.
Deklarata e Erjon Veliaj se një qytetar shkodran paguan dy herë më shumë se një banor i kryeqytetit nuk qëndron, pasi krahasimi i tij është bërë mes nje familje që jeton në Shkodër (qytet) që paguan shumën 704 lekë (të reja) në muaj, dhe një familje që jeton në njësinë Administrative Dajt që paguan shumën 480 lekë.
Nëse, do të bëhej krahasim i saktë midis një familje që paguan taksa në qytetin e Shkodrës me atë qe paguan në qytetin e Tiranës, do të rezultonte:
Në Shkoder 704 leke (të reja) në muaj, ndërsa në Tiranë 1.180 lekë (të reja) në muaj.
Ne Tiranë:
a. tarifë pastrimi 480 lekë në muaj
b. taksë e përkohshme për infrastrukturën arsimore 150 lekë në muaj
c. taksë ndërtese 550 lekë në muaj
Në total 1.180 lekë (të reja) në muaj
E në fund ajo çka është më e rëndësishmja dhe që Erjon Veliaj nuk guxon ta thotë është se Shkodra ka ujë 24 orë në ditë, ndërsa Tirana mashtrohet prej 8 vitesh nga kryebashkiaku i saj për këtë gjë.
Shkodër, prill 2023

erion veliaj bardh spahia

Sondazh

Poll