Politike

Fushata e 'Bashkë Fitojmë' në 'Air Albania'/ Veliaj: Ku i gjeti Saliu 100 mijë euro që harxhoi në stadium?

Ai ironizoi edhe pjesëmarrjen e ulët në stadium, duke u shprehur se ishte shumë i zbrazët.

16 Prill 2023, 12:53 Nga A.B
Fushata e 'Bashkë Fitojmë' në 'Air Albania'/
Erion Veliaj

TIRANË- Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj deklaroi ditën e sotme se koalicioni i Berishës dhe Metës nuk ka as vulë, as emër, sepse kanë frikë se demokratët e vërtetë nuk i votojnë. Ai ngriti edhe disa pikëpyetje lidhur me shpenzimet e koalicionit për hapjen e fushatës dje në stadiumin Arena Kombëtare.

“E patë te stadiumi? 100 mijë euro miting për të dëgjuar njëri-tjetrin, ndërkohë që flet [Berisha] tërë kohës për varfëri. Për një parti politike, e cila nuk merr as lekë nga KQZ-ja, pyetja është: Nga vijnë lekët?. Jo vetëm që u ka humbur vula, por te ai koalicioni nuk dinë as kë emër të vënë, se kanë turp. Po të vënë emrin e Ilir Metës mërziten demokratët, se thonë: ‘Si do votoj unë për Ilir Metën?’. Po të vënë emrin e Sali Berishës, ai është non-grata, nuk mund ta vënë në fletën e votimit. Mirë që u ka humbur vula, por tani u ka humbur edhe emri. Ata janë pa emër dhe pa vulë. Këta janë njerëz që kanë turp nga emri i tyre”, u shpreh Veliaj. 

Ai ironizoi edhe pjesëmarrjen e ulët në stadium.

“Po shikoja videot, kishin ikur edhe ata vetë. Imagjino, jo vetëm që nuk i ndjek më shumica e popullit, por edhe shumica e militantëve e kishte zbrazur stadiumin pa folur Saliu dhe Iliri. Do të thotë se edhe ata e kanë kuptuar që nuk bëjnë dot hajër. Më shumë vajtën për kuriozitet, për të parë stadiumin, që e kishin sharë aq shumë, sesa për të dëgjuar fjalimet, se e zbrazën sapo bënë fotografitë dhe selfiet”, u shpreh Veliaj, gjatë takimit me banorët e Shëngjergjit. /Dosja.al

erion veliaj

Sondazh

Poll