Politike

Meta: Mungon transparenca, SHBA janë të shqetësuar për korrupsionin në Shqipëri

Kryetari i Partisë së Lirisë tha se plani i opozitës do të arrijë të ndryshojë mendimin e të rinjve për vendin dhe të ardhmen e tyre, duke mundësuar kështu ngadalësimin e largimeve jashtë vendit

13 Prill 2023, 12:12 Nga f.g
Meta: Mungon transparenca, SHBA janë të shqetësuar për
Ilir Meta, kryetar i PL

TIRANE- Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha se shqetësimi kryesor që ka ndarë edhe në takimin me të dërguarin e SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar është korrupsioni në vend. Në një bashkëbisedim me gazetarët nga foltorja e "Bashkë Fitojmë", Meta tha se bashkëpunimi PD-PL do të sjellë një rezultat që do të përkthehet në punë për qytetarët. 

"Koalicioni ynë do të dalë i pari, njësoj si në shortin e KQZ.  Korrupsioni është shqetësim serioz në Shqipëri. Mungon transparenca për këshillat bashkiakë. Drejtuesit lokalë punojnë pak. Transporti falas, sa 900 premtimet e Rilindjes."-tha Meta.

Më tej, në fjalën e tij, kryetari i Partisë së Lirisë tha se plani i opozitës do të arrijë të ndryshojë mendimin e të rinjve për vendin dhe të ardhmen e tyre, duke mundësuar kështu ngadalësimin e largimeve jashtë vendit.

Ilir Meta: Në Tiranë, Instituti Republikan Ndërkombëtar sapo ka publikuar një anketim, nga del se pjesa dërrmuese e qytetarëve shqiptarë renditën shtrenjtimin e jetesës dhe korrupsionin si shqetësimet e tyre më të mëdha. Ata shprehen se demokracia shqiptare nuk ka përparuar sa duhet, dhe se janë të shqetësuar për emigrimin e shtuar kohët e fundit. 87 përqind e tyre pohuan se korrupsioni është një problem serioz në Shqipëri. Pjesa dërrmuese e të anketuarve, 79% e të rriturve, pohuan se çmimet e larta dhe kostot e jetesës janë çështje kryesore të vendit.

Pjesa më e madhe pohojnë se gjendja ekonomike ka mbetur njëlloj ose është përkeqësuar. 53% e qytetarëve mendojnë që drejtuesit bashkiakë po punojnë pak ose aspak për të trajtuar nevojat e banorëve. Janë rikandiduar afro ¾ e bashkiakëve aktualë të mazhorancës. Një numër i madh qytetarësh, nga të gjithë moshat dhe profesionet, madje edhe nga të gjithë shtresat dhe nivelet e jetesës po largohen nga Shqipëria. Emigrimi është vërtet një shqetësim i madh, sepse ndikon në të gjithë ekonominë, tek forca punëtore, kompanitë kërkojë punëtorë në degët e tyre. Banka Botërore konstaton se për 25% të popullsisë me të ardhura më të ulëta, 70% e të gjithë të ardhurave të tyre shkon vetëm për ushqimin. Pa llogaritur të ardhurat për ilaçet, qiranë e banesës, për energjinë elektrike, taksat, tarifat vendore, etj. Plani i kandidatëve tanë ndihmon shumë për të ulur koston e jetesës. Do ulim taksat vendore që janë rritur në mënyrë marramendëse./Dosja.al

ilir meta zgjedhjet lokale 14 maj 2023

Sondazh

Poll