Politike

Idajet Beqiri tregon bisedën me Izet Haxhinë: Ja pse dyshoi se donin ta helmonin, Ministria e Drejtësisë të hetojë

Avokati Idajet Beqiri tha se e gjithë ngjarja duhet hetuar nga Ministria e Drejtësisë dhe jo nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

12 Prill 2023, 20:14 Nga k.m.
Idajet Beqiri tregon bisedën me Izet Haxhinë: Ja pse dyshoi se donin
Idajet Beqiri

TIRANË- Avokati i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri ka zbuluar komunikimin që ka pasur me klientin e tij dhe arsyen pse dyshon se ndaj tij është tentuar helmimi. Në një intervistë të dhënë për emisionin ‘Studio Live’, avokati Idajet Beqiri tha se e gjithë ngjarja duhet hetuar nga Ministria e Drejtësisë dhe jo nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Megjithatë nuk e ka përjashtuar mundësinë që e gjitha të jetë keqkuptim.

“Kam njoftuar nga motra, e cila ishte shumë e shqetësuar. Më tha që kishte shkuar në dhomën e izolimit dhe i kishte çuar një paketë me ilaçe dhe vitamina që t’i kanë sjellë të familjes dhe ai është stepur dhe ai marrëdhëniet i mban vetëm me motrën e tij dhe për çdo gjë. Fakti që motra nuk i kishte nisur ilaçe, ai u shqetësua dhe telefonoi motrën. Më tha “duam të më helmojnë”. Më tha erdhën në mënyrën e çuditshme, nga mënyra se si m’i afruan, si ikën dhe që nuk vinin të më sqaronin, kjo më bëri të isha dyshues. Po e diskriminojnë rëndë në burg. Nuk ebëj avokatin e djallit që të them këta të drejtorisë gënjejnë. Por të shkojë Ministria e Drejtësisë dhe të hetojë. Pse e mbajnë vetëm të izoluar dhe i çojnë edhe ilaçe të shkon mendja për keq. Ku nuk të shkon mendja. Edhe SPAK edhe Drejtoria e Burgjeve po sillen keq me të, edhe pse ai ka shumë për t'i dhënë drejtësisë shqiptare,”- tha Beqiri.

Izet Haxhia është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari. Pas 17 vitesh në mungesë dhe azil në Turqi, Haxhia u rikthye me vullnetin e tij në Shqipëri duke kërkuar rihapjen e dosjes, pasi ai kurrë nuk i ka pranuar akuzat e ekzekutimit të deputetit Azem Hajdarit në vitin 1998 jashtë godinës së selisë blu, më 12 shtator 1998.

Haxhia u arrestua në Turqi në vitin 2006, pasi ishte në listën e të kërkuarve të Interpol Tiranës por më pas kërkoi strehim politik në Turqi, me argumentin se i rrezikohej jeta. Ndërsa në 2018 Gjykata e Lartë Turke aprovoi ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, duke nisur kështu edhe betejën me drejtësinë shqiptare për Haxhinë, i cili kërkoi edhe dëshminë e Sali Berishës dhe të ish-truprojës së Azem Hajdarit, por asnjë prej tyre nuk u mor parasysh nga gjyqtarët e çështjes. Për vrasjen u dënua dhe vëllai i Izetit, Ismet Haxhia me 20 vite heqje lirie, por tani e ka kryer dënimin dhe i është rikthyer jetës normale. Ndërsa bashkëpunëtori tjetër Jaho Salihi (Mulosmani) është dënuar me burg përjetë. Izet Haxhia ka qenë truproja i parë Sali Berishës kur ai u zgjodh President në vitin 1992, pa u ndarë deri në vitin 1998./Dosja.al

idajet beqiri izet haxhia

Sondazh

Poll