Politike

"Saliu dogji shtëpinë e tij"/ Veliaj: Këta të sapllakes dhe kalit blu e kishin në dorë dhe s’bënë asnjë punë

Veliaj theksoi se çfarëdo që bën Bashkia e Tiranës, opozita do të reagojë duke bllokuar dhe duke bërë sherr.

12 Prill 2023, 18:40 Nga A.B
"Saliu dogji shtëpinë e tij"/ Veliaj: Këta të
Erion Veliaj

TIRANË- Kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi ditën e sotme një takim me stafin dhe bashkëpunëtorët e tij, pa të cilët sipas tij, Tirana nuk do kishte pësuar transformimin e sotëm. Ai deklaroi se Tirana do të vazhdojë të modernizohet, mirëpo theksoi se çfarëdo që bën Bashkia, opozita do të reagojë duke bllokuar dhe duke bërë sherr.

“Ky është një vend ku politika ende trajtohet si një betejë gladiatorësh, ku dikush duhet të poshtërohet patjetër. Ne mund të kemi një debat civil, të fitojë më i miri, të vazhdojë jeta, por qartazi janë disa dinozaurë të vjetër që nuk e lënë vendin të ecë përpara. Ndjesë nëse jeni lënduar ju dhe familja juaj, me shpresë që pas këtyre 30 ditëve marrim vendimin për të ecur përpara në një mandat të tretë dhe të largohemi nga kjo politika e bërjes së gjërave me sherr dhe me dhunë, me sharje e me shpifje, se jam i sigurt që edhe në shtëpitë tuaja diskutohen ato që thotë politika e vjetër: ‘Jo, po këta të bashkisë janë edhe me Sorosin, po edhe me Iranin, edhe me këta, edhe me ata’. Fatmirësisht, për njerëz të tillë që kanë rrjedhur, ne kemi qendra sociale shumë të mira, kemi psikologë, psikiatër dhe punonjës socialë për të gjithë këta që kanë këto lloj deviancash dhe bëni atë që bëj unë, trajtojeni me humor këtë punë, sepse Saliu, imagjinoni, kur dogji shtëpinë e tij, selinë e tij, imagjino ç’mund t’i bëjnë ata Tiranës nëse ua lëmë sërish në dorë”, deklaroi Veliaj.

Më tej, Veliaj u shpreh se opozita e kishte në dorë të punonte për Tiranën po në fund nuk bënë asgjë.

"Sot mund ta quajnë asfalt elektoral, por do zgjohen në datë 15, ne do jemi prapë duke asfaltuar, në datë 16 prapë duke vijëzuar, në datë 17 prapë duke vënë ndriçim LED, në datë 18 prapë duke hapur një shkollë të re, në datë 19 prapë duke hapur një rrugë, në datën 20 prapë duke hapur një treg. Për sa kohë që përditë kemi punuar sikur të jetë dita më e rëndësishme, puna duhet të vazhdojë. Këta të sapllakes dhe të kalit blu, edhe të zorrës e të fuçisë, e të galixhantit të ëC-së në kat të dytë, e të sahatit që s’punonte, e të bashkisë me grafiti, këta e kishin në dorë dhe s’bënë asgjë”, tha Veliaj.

erion veliaj sali berisha zgjedhjet lokale 14 maj 2023

Sondazh

Poll