Politike

Manja shpjegon ndryshimet për Policinë e Burgjeve: Të mbajnë pistoletë, lehtësim për kredi

Një tjetër, ndryshim ka të bëjë me mundësinë që policiët e burgjeve të kenë mundësi të përfitojnë kredi për strehim në forma lehtësuese.

11 Prill 2023, 11:29 Nga I.A
Manja shpjegon ndryshimet për Policinë e Burgjeve: Të mbajnë
Ulsi Manja

TIRANË- Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka shpjeguar ndryshimet në ligjin për Policinë e Burgjeve. Gjatë Komisionit të Ligjeve, Manja është shprehur se me ndryshimet e reja në ligjin, policët e burgjeve do të lejohen që të mbajnë pistoletë. Një tjetër, ndryshim ka të bëjë me mundësinë që policiët e burgjeve të kenë mundësi të përfitojnë kredi për strehim në forma lehtësuese. Ndërsa ndryshimi i tretë ka të bëj dhe me kriteren e pranimeve për policinë e burgjeve, ku është hequr kufizimi moshor për ata që duan të jenë pjesë e burgjeve.

“Ndryshimi i parë që ne propozojmë në këtë ligj, është që ne propozojmë që në Nenin 4 të ligjit ekzistues të kemi një ndryshim sa i përket dhënies së të drejtës së punonjësve të Policisë së Burgjeve për të mbajtur armë brezi dhe pajisje të tjera kufizuese. Me këtë ndryshim zgjidhim një problematikë që u krijua me heqjen e kësaj të drejte për këta policë, e cila në vlerësimin tonë ka cenuar të drejtën e sigurisë së jetës për këta punonjës. Pra punonjësit e Policisë së Burgjeve me këto ndryshime do të kenë të drejtën njëlloj si kolegët e tyre në çdo forcë policore të rifitojnë të drejtën për të mbajtur armë brezi sipas kushteve dhe kritereve që do të përcaktohen në VKM. Një tjetër ndryshim që propozojmë ka të bëjë me trajtimin ekonomik dhe financiar të punonjësve të Policisë së Burgjeve. Shtojmë një parashikim ligjor që ka të bëjë me të drejtën për përftim kredie në kushte lehtësuese edhe për punonjësit e Burgjeve, njësoj siç e gëzojnë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Forcat e Armatosura. Pra me këto ndryshime edhe punonjësit e Policisë së Burgjeve do të kenë të drejtën e kredisë për strehim në kushte lehtësuese. Kjo u jep të drejtën familjeve të reja të këtyre punonjësve, ata që kanë fëmijë për shkollim, por edhe të atyre që transferohen apo punësohen në një rreth tjetër nga aty ku kanë vendbanimin. Ndryshimi tjetër ka të bëjë me kriteret për pranimin në Policinë e Burgjeve, ku ne saktësojmë që nuk do të pranohen në Policinë e Burgjeve persona qe janë dënuar me burg me vendim të formës së prerë për vepra penale të kryera me dashje brenda periudhës së rehabilitimit, për vepra penale të kryera nga pakujdesia që cenojnë figurën dhe integritetin e këtij punonjësi,dhe për vepra penale të kryera me dashje, që megjithëse janë rehabilituar, ato vepra cenojnë figurën e punonjësit. Gjithashtu një tjetër kriter ndalues që propozojmë për pranimin në Policinë e Burgjeve është kur ndaj subjektit janë marrë masa të sigurimit personal arrest me burg ose arrest në shtëpi për kryerjen e një vepre penale ose kur subjekti merr cilësinë e të pandehurit për një krim të kryer me dashje”, tha Manja.

ulsi manja komisioni i ligjeve

Sondazh

Poll