Aktualitet

Rikthimi i basteve online/ Kompanitë të kenë 3 vite eksperiencë &garanci rreth 1.5 mln euro! Jo aksionerë kriminelë

Organizatorët e kategorisë “Baste sportive online” derdhin në llogari të Fondit të Posaçëm masën 15 % të të ardhurave bruto nga loja, që do të përdoren për sportin në Shqipëri.

5 Prill 2023, 11:40 Nga k.m.
Rikthimi i basteve online/ Kompanitë të kenë 3 vite
Foto ilustruese

TIRANË- Qeveria ka nxjerrë projektligjin për rikthimin e basteve sportive online. Sipas projekt-ligjit të publikuar prej 16 faqesh, sqarohen të gjitha pikat kryesore. Në projektligj thuhet se kompanitë që do të licencohen do të jenë të detyruara të lënë si garanci rreth 1.5 milionë euro, një fond prej 120 000 000 (njëqin e njëzet milionë) lekësh. Këto para do të mbahen të ngrira nga qeveria për të garantuar shlyerjen e detyrimeve periodike ndaj shtetit por edhe ndaj lojtarëve.

Organizatorët e kategorisë “Baste sportive online” derdhin në llogari të Fondit të Posaçëm masën 15 % të të ardhurave bruto nga loja, që do të përdoren për sportin në Shqipëri. Ligji i ri ndalon publicitetin e lojërave të fatit në median e shkruar dhe atë audiovizive. Por kërkon gjithashtu shtimin e termit "online" pas basteve sportive.  Bastet sportive online do të luhen nëpërmjet paisjeve elektronike si smartphone, tabletave, Ipad, laptop por pa u kufizuar vetëm në to.

Në nenin 10, të projektligjit parashikohet kriteret e licencimit të subjekteve të cilët do të aplikojnë për t’u pajisur me licencë, duhet të ketë një kapital themeltar jo më pak se 20 000 000 (njëzet milionë) lekë. Kompania duhet të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit për jo më pak se 3 vjet. Por po ashtu, aplikantët duhet të dorëzojnë edhe dëshmi penaliteti, pasi nga e shkuara e tyre duhet të jetë "e pastër".

"Në nenin 22 të projektligjit parashikohet shtesa dhe ndryshime të nenit 36 të ligjit Shkronja “d” e pikës 6 riformulohet si vijon: “d) dëshmi penaliteti të dorëzuar nga aplikantët /administratorët, ortakët e shoqërisë dhe pronarët përfitues në momentin e aplikimit, vërtetime që nuk janë në proces gjyqësor, që nuk janë dënuar penalisht me një vendim të formës së prerë për vepra penale në fushën e krimit ekonomik, evazionit fiskal dhe/apo doganor, shpërdorim detyre, mitmarrje apo mitdhënie, vjedhje, trafik lëndësh narkotike apo armësh, eksplozivësh, mospagim gjobash apo për vepra të tjera penale që kompromentojnë personat në nderin e personalitetin e tyre.”

Lojrat e fatit, në relacionin e buxhetit 2023 specifikohet se Financat presin të arkëtojnë rreth 2 miliardë lekë apo gati 18 milionë euro nga ligji për lojërat e fatit, ndërsa ende nuk bëhet me dija norma e taksimit. Një tjetër pikë në draftin për lojërat e fatit është ajo për lotarinë Kombëtare licenca e të cilës jepet për një afat 10-vjeçar. Organizatori i kategorisë “Lotari Kombëtare”, brenda 31 marsit të vitit pasardhës krahas detyrimeve të parashikuara në këtë nen, duhet të derdhë në llogari të Fondit të Posaçëm shumën 5,4 për qind të xhiros vjetore.

bastet online

Dokumenta bashkëngjitur

Sondazh

Poll