Politike

Rama rrit dhe pagat e mësuesve: Ata të 9-vjeçares do të paguhen mbi 95 mijë lekë, të gjimnazit deri në 106 mijë lekë (Takimi me kundërshtarin)

Por, kryeministri tha se ky është vetëm hapi i parë, pasi vitin tjetër, mësuesit në shkollën 9-vjecare do të kenë një pagë 95.550, ndërsa ata të shkollave të mesme 106 800 lekë.

4 Prill 2023, 18:21 Nga F.M
Rama rrit dhe pagat e mësuesve: Ata të 9-vjeçares do të
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se do të rrisë pagat e mësuesve gjithashtu. Në një takim që zhvilloi me mësuesit bashkë me ministren e arsimit Evis Kushi, Rama tha se për mësuesit e shkollave 9-vjeçare do të kjetë një rritje prej 3 mijë e 500 lekësh, paga e mësuesve të shkollave të mesme do të rritet me 3 mijë e 843 lekë në muaj, ndërsa për drejtuesit do të ketë një rritje deri në 5 mijë e 800 lekë. Por, kryeministri tha se ky është vetëm hapi i parë, pasi vitin tjetër, mësuesit në shkollën 9-vjecare do të kenë një pagë 95.550, ndërsa ata të shkollave të mesme 106 800 lekë.

"Pagat nuk rriten kur ke dëshirë, por kur mundesh, ne pamë që mundësia për të rritur pagat u krijua dhe ndaj jemi këtu. Kemi bërë një plan me dy hapa që nis tani dhe përmbyllet vitin e ardhshëm në mënyrë që ta realizojmë si ide. Ju e dini shumë që pëer mësuesit ishte parashikuar rritja 7%, njësoj si për mjekët. Kështu që do të bëjmë rritjen 7% dhe pastaj në hapin tjetër dhe ky nuk është premtim, por plan financiar, në hapin tjetër pra vitin e ardhshëm, paga juaj do të kapërcejë në një tjetër nivel. Pra, nëse sot që flasim rritja mujore do të jetë midis 3584 për mësuesit e shkollës 9-vjeçare, 3843 për mësuesit e shkollave të mesme dhe deri në 5800 për drejtuesit. Tek rritja e përgjithshme, mësuesit në shkollat 9 vjeçare do të kenë një pagë 95 550 lekë, mësuesit në shkollat e mesme do kenë një pagë 106 800 lekë. Sigurisht këto janë bazat dhe pastaj ka sipas vjetërsisë, kualifikimeve që variojnë, por ky është niveli i pagës së mësuesve,"- tha Rama.

Mes mësuesve, Rama u përball dhe me 'kundërshtarin' e tij në sport. “Këtë e kam pasur kundërshtar, kundërshtar në sport, ka qenë me Tironën ky, ishte më i mirë se unë,”- tha Rama.

Ky premtim i Ramës vjen pas një 'fushate' shpërblimesh. Javën e kaluar, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri Edi Rama njoftoi se çdo pensionist do të marrë në llogarinë e tij përveç pensionit, edhe një shpërblim prej 5 mijë lekë të reja. Po ashtu, konfirmoi rritjen e pagës minimale nga 1 prilli në 40 mijë lekë, ndërsa deklaroi ambicien për të ndërhyrë edhe në pagën mesatare në vend, që aktualisht është rreth 60 mijë lekë të reja. 

edi rama

Sondazh

Poll