Aktualitet

Vettingu/ KPA lë në fuqi vendimin e KPK, shkarkon nga detyra gjyqtarin Hysen Saliko

Vendimi ka lënë në fuqi atë të marrë në në vitin 2020.

30 Mars 2023, 22:56 Nga k.m.
Vettingu/ KPA lë në fuqi vendimin e KPK, shkarkon nga detyra gjyqtarin
Hysen Saliko

TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelit ka vendosur për lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e gjyqtarit të Vlorës, Hysen Saliko. Vendimi ka lënë në fuqi atë të marrë në në vitin 2020.

Njoftim vendimi

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 59/2020, datë 16.12.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Hysen Saliko kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 284, datë 03.08.2020.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: 1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 284, datë 03.08.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Hysen Saliko. 2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, në Tiranë, më datë 30.03.2023.

Hysen Saliko e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1994. Deri në vitin 2006, Saliko ka ushtruar detyrën si kryetar i Gjykatës Kolonjë dhe në vitin 2006 është transferuar si inspektor në ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në vitin 2010, Saliko është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit Vlorë. 

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Vlorë, Hysen Saliko u shkarkua nga detyra me shumicë votash prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 3 gusht, me argumentin se nuk arriti të provojë me dokumentacion ligjor të ardhurat e siguruara nga bujqësia dhe bletaria gjatë dy dekadave të fundit, që janë deklaruar prej tij si burime për krijimin e pasurive. Gjithashtu, shumica vlerëson se Saliko kishte cënuar besimin e publikut gjatë dhënies së konsulencës juridike kundrejt pagesës, ndërkohë që ushtronte detyrën e gjyqtarit.

 

hysen saliko

Sondazh

Poll