Politike

Kolegji Zgjedhor pranon koalicionin "Bashkë Fitojmë!" në zgjedhjet lokale, rrëzon ankimimin e Alibeajt

Në ankimimin e tij, Alibeaj pretendonte se dyshja Meta-Berisha kanë kryer shkelje të rëndë ligjore duke përdorur simbolet e PD, siglën dhe emrin. Por, Kolegji Zgjedhor vendosi të hedhë poshtë padinë e tij.

30 Mars 2023, 17:34 Nga A.B
Kolegji Zgjedhor pranon koalicionin "Bashkë Fitojmë!"
Sali Berisha dhe Ilir Meta

TIRANË- Koalicioni 'Bashkë Fitojmë" do vazhdojë rrugëtimin në zgjedhjet vendore të '14 Majit'. Drita jeshile u dha ditën e sotme nga Kolegji Zgjedhor, i cili shqyrtoi padinë e deputetit Enkelejd Alibeaj për të mos lejuar kandidimin e koalicionit në zgjedhje. Trupa që mori vendimin ishte e përbërë nga: Sokol Ibi, Manjola Xhaxho, Edlira Petri, Esmeralda Xhili dhe Alma Kolgjoka.

Në ankimimin e tij, Alibeaj pretendonte se dyshja Meta-Berisha kanë kryer shkelje të rëndë ligjore duke përdorur simbolet e PD, siglën dhe emrin.

Ky vendim i marrë është shkalla e fundit, duke mos i dhënë më mundësi Alibeajt që ta ankimojë. Në këtë formë, ky vendim del kundër deklaratës së kryetarit të KQZ-së, Ilirjan Celibashi i cili tha sot se vetëm një palë do duhet të përdorë simbolet e PD-së.

"Simbolet e një partie nuk përdoren dot nga një parti apo subjekt tjetër zgjedhor, Nëse kjo verifikohet, subjektit që i gjendet simbole të një partie tjetër, subjektit në fjalë i ndalohet përdorimi"

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është në koalicion me Ilir Metën, Vangjel Dulen e Nard Ndokën me sloganin ‘Bashkë Fitojmë’. Në dokumentin zyrtar të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është se brenda këtij koalicioni, përveç Partisë së Lirisë të Ilir Metës, PDK-së së Nard Ndokës dhe PBDNJ-së së Vangjel Dules, është e përfshirë edhe logoja e sigla e PD.

Ndërkohë me logon zyrtare të PD, Enkelejd Alibeaj ka prezantuar në KQZ emrat e kandidatëve për kryetar Bashkie. Kandidati i Korçës, Gjergji Gjata njoftoi se është tërhequr nga gara bashkë me 40 kandidatët për këshillat bashkiakë. Po ashtu, nga gara u tërhoqën edhe kandidati i Lezhës Sandër Marku, e ndërsa nuk u miratuan nga kryesia, Bujar Vreto në Librazhd, Ibrahim Bruka në Vorë dhe Genc Doçi në Kurbin.

kolegji zgjedhor zgjedhjet lokale 14 maj 2023

Sondazh

Poll