Aktualitet

Rrëzohet kërkesa e Ahmetajt, Apeli i GJKKO: Kontrollet në vilën në Hamallaj janë të ligjshme

Mbrojtja pretendoi se pavarësisht se shtëpia është në emër të Hoxhës, atje jeton edhe Ahmetaj. Ky i fundit është deputet dhe në cilësinë e një ligjvënësi, fillimisht duhet të ishte pyetur Kuvendi për të bërë kontroll në shtëpi.

29 Mars 2023, 11:11 Nga f.g
Rrëzohet kërkesa e Ahmetajt, Apeli i GJKKO: Kontrollet
Arben Ahmetaj, ish-minister i Financave

TIRANE- Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Financave Arben Ahmetaj që kërkoi që kontrollet në banesën e partneres së tij në vilën në Hamallaj të cilësoheshin si të paligjshme. Në seancën e sotme, trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtari Dhimitër Lala vendosi që në dhomë këshillimi të mos pranojë këtë ankimim. Gjykata e cilëson kështu kontrollin e kryer nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit si të ligjshëm. 

Më 8 mars 2023, oficerët e BKH kontrolluan banesën e Erjola Hoxhës, partneres së Ahmetajt në zonën e Gjirit të Lalzit si dhe sekuestruan telefonin e saj. Disa ditë pas kontrolleve, ku u gjetën disa sende me vlerë dhe dokumenta, Ahmetaj dhe Hoxha apeluan në GJKKO duke e konsideruar kontrollin të paligjshëm.

Mbrojtja pretendoi se pavarësisht se shtëpia është në emër të Hoxhës, atje jeton edhe Ahmetaj. Ky i fundit është deputet dhe në cilësinë e një ligjvënësi, fillimisht duhet të ishte pyetur Kuvendi për të bërë kontroll në shtëpi.

Por ky fakt sipas tyre u anashkalua ndërsa më tej parashtruan se bashkëjetueses së ish-ministrit nuk iu garantua e drejta për të patur një person të besuar pranë para se të niste kontrolli, ndërsa edhe oficerët kanë bërë pyetje provokuese për sendet që kishin në banesë. Ahmetaj është nën hetim nga SPAK për veprat penale: “Korrupsion”, “shpërdorim detyre”, “fshehje e pasurisë” dhe “pastrim parash”. SPAK ka sekuestruar disa vila që janë pronë e ish-gruas dhe partneres aktuale të Ahmetajt./Dosja.al

arben ahmetaj gjkko kontrollet te ahmetaj

Sondazh

Poll