Aktualitet

KPA lë në fuqi vendimin e KPK, shkarkohet prokurori Ervin Beqiri

Gjatë seancës dëgjimore në KPK, prokurori Beqiri u pyet dhe dha shpjegime për burimet financiare që kishin shërbyer për blerjen e një apartamenti në vitin 2013.

28 Mars 2023, 19:38 Nga k.m.
KPA lë në fuqi vendimin e KPK, shkarkohet prokurori Ervin Beqiri
Ervin Beqiri

TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur që të lërë në fuqi vendimin për shkarkimin e prokurorit Ervin Beqiri. Në seancën e sotme, trupa gjykuese ka vendosur për shkarkimin e tij, për shkak se nuk e justifikoi dot pasurinë e tij. Një nga tre shtyllat e Vettingut që e "dogjën" edhe në shkallën e parë të procesit, në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. 

Gjatë seancës dëgjimore në KPK, prokurori Beqiri u pyet dhe dha shpjegime për burimet financiare që kishin shërbyer për blerjen e një apartamenti në vitin 2013. Komisioni konstatoi mungesa financiare për blerjen e apartamentit.

Njoftim vendimi

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 21/2022, datë 28.04.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Ervin Beqiri kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 516, datë 03.03.2022.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: 1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 516, datë 03.03.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Ervin Beqiri. 2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, në Tiranë, më datë 28.03.2023.

Ervin Beqiri përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe pas një periudhe stazhi në Prokurorinë e Tiranës, u emërua në Prokurorinë e Lezhës. Prej vitit 2015, ai e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Korçës dhe së fundmi u transferua në Elbasan.

ervin beqiri

Sondazh

Poll