Aktualitet

Avokati i Popullit denoncon sulmin ndaj Top Channel-it: Autoritetet ligjzbatuese të hedhin dritë mbi ngjarjen

Në reagimin e parë zyrtar të Avokatit të Popullit kërkohet që institucionet të bëjnë hetime sa më të shpejta për të zbardhur ngjarjen dhe të vihen para drejtësisë autorët.

28 Mars 2023, 00:06 Nga k.m.
Avokati i Popullit denoncon sulmin ndaj Top Channel-it: Autoritetet ligjzbatuese
Foto ilustruese

TIRANË- Avokati i Popullit ka denoncuar sulmin me kallashnikov që u bë ndaj Top Channel-it, në të cilin mbeti i vrarë roja i sigurimit. Në reagimin e parë zyrtar të Avokatit të Popullit kërkohet që institucionet të bëjnë hetime sa më të shpejta për të zbardhur ngjarjen dhe të vihen para drejtësisë autorët. Gjithashtu inkurjon gazetarët e çdo mediumi që të mos ndihen të frikësuar dhe të vazhdojnë punën e tyre, në mbështetjen e shoqërisë dhe solidarizimin e saj.

Postimi i plotë:

Avokati i Popullit dënon sulmin e natës së 27 marsit mbi ndërtesën e televizionit kombëtar Top Channel në të cilin humbi jetën një punonjës i sigurisë pranë këtij institucioni. Ndërsa ngushëllon të afërmit e bashkëpunëtorët e të ndjerit për këtë humbje jete, Avokati i Popullit u kërkon autoriteteve ligjzbatuese që pa vonesë e me përparësi të hedhin dritë mbi ngjarjen e të vënë para përgjegjësisë autorët. Sulmi ndaj çdo individi e subjekti është një akt i dënueshëm e i papranueshëm, por sulmi i armatosur ndaj një institucioni mediatik është një akt dyfish i shëmtuar. Ajo është një vepër e pafalshme e me pasoja të rënda pasi cënon drejtpërdrejt një mjet të komunikimit masiv, pra infrastrukturën informative të shoqërisë. Avokati i Popullit i inkurajon gazetarët e Top Channel dhe të çdo mediumi tjetër në vend që të mos frikësohen por të vazhdojnë punën të sigurt për mbështetjen e solidaritetin e gjithë shoqërisë.

Çfarë ndodhi një natë më parë?

Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00. Persona të paidentifikuar u afruan pranë Top Channel me një automjet tip 'Range Rover' me targa të vjedhura dhe qëlluan me breshëri kallashnikovi kundrejt ambienteve të televizionit. Një nga plumbat kapi rojen e sigurisë, Pal Kola, 60 vjeç, i cili ndërroi jetë në vend. Autorët u larguan nga vendngjarja, ndërsa mjeti bashkë me dy kallashnikovët u gjetën duke u djegur. Shkaqet e ngjarjes nuk dihen ende./Dosja.al

avokati i popullit vritet roja i top channel

Sondazh

Poll