Aktualitet

I vodhi me dhunë çantën e dorës të miturës, arrestohet 24-vjeçari i dënuar dy herë për vjedhje

I arrestuari rezulton dy herë i dënuar për të njëjtën vepër penale ndërsa pritet të përballet me akuzën për 'vjedhje me dhunë'. 

27 Mars 2023, 14:39 Nga a.l
I vodhi me dhunë çantën e dorës të miturës,
Arrestimi në Berat

BERAT- Një 24-vjeçar është arrestuar nga policia në Berat pasi akuzohet për vjedhje. Policia njofton se i riu me iniciale S. K., ka vjedhur me dhunë çantën e dorës të një të miture. I arrestuari rezulton dy herë i dënuar për të njëjtën vepër penale ndërsa pritet të përballet me akuzën për 'vjedhje me dhunë'. 

Njoftimi i policisë:

Berat/Finalizohet operacioni policor i koduar “Dark”.

I vodhi me dhunë, çantën e dorës, një shtetaseje së mitur, falë veprimeve të shpejta nga Policia, brenda pak orësh, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 24-vjeçari. 24-vjeçari, i dënuar dy herë më parë, për vjedhje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, menjëherë pas njoftimit për një rast të vjedhjes me dhunë, në lagjen “30 Vjetori”, kanë organizuar punën për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të strukturave të Komisariatit të Policisë Berat, në kuadër të operacionit policor të koduar “Dark”, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. K., 24 vjeç, banues në Berat, me precedent të mëparshëm penal për vjedhje.

Nga pamjet filmike dhe provat e tjera të siguruara nga Policia, ka rezultuar se ky shtetas i ka vjedhur me dhunë, çantën e dorës, një shtetaseje të mitur.

Çanta u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

arrestime ne berat

Sondazh

Poll