Politike

Hetimet për lobingun/ “Do e dorëzoni dosjen në prokurori?” Berisha: S’kemi element të ri, asnjë qindarkë ruse s’ka hyrë në PD

Berisha shtoi me bindje se asnjë qindarkë ruse nuk ka hyrë apo dalë në Partinë Demokratike. 

27 Mars 2023, 13:05 Nga F.M
Hetimet për lobingun/ “Do e dorëzoni dosjen në
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se nuk do ta dorëzojë dosjen e hetimit nga Partia Demokratike për lobingun rus në Prokurori. Në një deklaratë për mediat, pas përfundimit të hetimeve, Berisha tha se PD-ja nuk ka gjetur asnjë element të ri, veç atyre që kanë qenë në dosjen e mëparshme që ishte në duart e autoriteteve. Berisha shtoi me bindje se asnjë qindarkë ruse nuk ka hyrë apo dalë në Partinë Demokratike. 

"Normalisht, ajo nuk duhet të ndodhë sepse raporti ynë nuk ka asnjë element të ri krahasuar me dosjen e prokurorisë që hetoi dhe mbylli Edi Rama. Ne nuk kemi gjë të re, kemi vetëm këtë fakt, që PD nuk ka në arkën e saj një qindarkë të vetme të hyrë apo të dalë për 500 mijë dollarë të paguar nga Biniatta Trade, një kompani e zbulimit rus në Skoci, në emër të PD-së. Nuk ka. Ky është konkluzioni i raportit tonë. Këtë e ka ditur prokuroria, e ka dosja e prokurorisë, por prokuroria, e cila e vuri nën akuzë Lulzim Bashën për larje parash, e mbylli dosjen dhe mori peng Bashën,"- tha Berisha. 

Si qëndron çështja e lobingut rus?

Lobingu rus doli në pah nga një raport i inteligjencës amerikane që ka dalë në konkluzionin se Rusia ka financuar Partinë Demokratike me 500 mijë dollarë në vitin 2017. Në atë kohë selia blu drejtohej nga Lulzim Basha. ‘Muzin Capitol Partners’ kishte dekaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017. Dyshimet ishin se pas pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci, për aktivitete lobimi në favor të PD-së para zgjedhjeve të vitit 2016 në Shqipëri, qëndronin biznesmenë rusë. Autoritet shqiptare hapën hetime, por prokuroria u tërhoq nga akuza për pastrim parash dhe Gjykata pushoi çështjen e ngritur ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishajt. Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shfajësuar duke u shprehur fillimisht se 500 mijë dollarët u dhanë nga shqiptaro-amerikanët, por më pas tha se ai vetë nuk ka lidhje me burimin e parave e se kjo ishte një çështje që i përkiste lobuesit, pra, firmës Muzin. Mirëpo, me zbulimin e skandalit të dosjes së ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal, situata ndryshoi. Raportet e publikuara treguan se Rama kishte përdorur McGonigal për të sulmuar Opozitën, përfshirë këtu dhe dosjen e lobingut rus.

sali berisha lobingu rus ne pd

Sondazh

Poll