Politike

Edhe Tirana pa ndryshime, Veliaj 'thumba' Berishës: Përveshim mëngët për tramin falas të Saliut e Lulit

Referuar premtimit të kandidatit Belind Këlliçi që garantoi transport publik falas, Veliaj me ironi tha se do të 'përveshë mëngët' e do të punojë fort. 

25 Mars 2023, 21:18 Nga F.M
Edhe Tirana pa ndryshime, Veliaj 'thumba' Berishës:
Erion Veliaj

TIRANË- Kryetari i Bashkisë Tiranë ka rikonfirmuar ekipin për qarkun e Tiranës më 14 maj. Në një prononcim për mediat, Veliaj tha se në Tiranë do të garohet me të njëjtat emra, por nuk harroi të 'thumbonte' kryedemokratin Sali Berisha. Referuar premtimit të kandidatit Belind Këlliçi që garantoi transport publik falas, Veliaj me ironi tha se do të 'përveshë mëngët' e do të punojë fort. 

Pjesë nga prononcimi:

Në Bashkinë e Rrogozhinës Edison Memolla do të vijojë të ketë mbështetjen tonë. Me Redjan Kralin do të vazhdojmë në Kavajë. Kavaja ka pësuar ndryshime të mëdha. Krali do ta çojë përpara këtë punë. në Vorë provuam një eksperiment, provuam Blerim Sherën, rezultoi me sukses. Ndaj duam që Vora të mos jetë tranzit, por destinacion. Do të vazhdojmë me Blerim Sherën, na provoi që në pak kohë na ka dhënë drejtim. Me Rakip Sulin do të vazhdojmë në Kamëz. Kamza s'ka qenë kurrë më mirë, kurrë kaq pastër. Ndërkohë që në Tiranë, për tramin falas të Saliut e Lulit do të përveshim mëngët e do të punojmë fort.

Qarku Tiranë

TIRANË- Erion Veliaj (i rikandiduar)

RROGOZHINË- Edison Memolla (i rikandiduar)

KAVAJË- Redjan Krali (i rikandiduar)

VORË- Blerim Shera

KAMËZ- Rakip Suli (i rikandiduar)

Sot PS vulosi listën me 61 emrat që do të garojnë për pushtetin vendor. PS-ja ka zgjedhur të rikonfirmojë kryebashkiakët aktualë. Përjashtim bëjnë disa prej bashkive, ku janë zgjedhur emra të rinj. Përmendim këtu Vlorën ku në vend të Dritan Lelit, PS do të kandidojë një ish-ambasador, Ermal Dredhën. Lefter Alla, ish-kryebashkiaku i Bulqizës që përfundoi në pranga pas abuzimeve me tenderat është zëvendësuar nga kryetarja e PS-së në këtë zonë, Festime Mjeshtri. Në Vaun e Dejës ka gjithashtu risi, Kristjan Shkreli, zëvendëskryetari i Bashkisë është zgjedhur kandidat për kryetar bashkie. Edhe Hasi e Divjaka erdhën me risi. Në Has kandidon Halit Mulaj, ndërsa në Divjakë Josif Goreja. Besjan Ajazi, aktualisht deputet i Partisë Socialiste është zgjedhur të kandidojë në krye të Gramshit.

erion veliaj kryesia e ps 25 mars 2023

Sondazh

Poll