Politike

"Dialogu 'Beograd-Prishtinë'", Rama kërkon sqarime nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB për termin e përdorur: Lapsus apo gabim serioz?

Guterres përshëndeti marrëveshjen në Ohër, por në reagimin zyrtar, Kosovës dhe Serbisë iu referua me emrat e kryeqyteteve.

21 Mars 2023, 22:19 Nga F.M
"Dialogu 'Beograd-Prishtinë'", Rama kërkon sqarime
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka kërkuar sqarime nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, lidhur me emërtimin që ky i fundit ka përdorur për të përshkruar marrëveshjen e dakortësuar në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.

Guterres ka quan palët “Beogradi dhe Prishtina” dhe jo “Serbia dhe Kosova”, gjë që ka tërhequr vëmendjen e kryeministrit Rama. Në një postim në Twitter, Rama shkruan se uron që kjo gjë të ketë qenë vetëm një lapsus dhe të editohet, e që të mos bëhet fjalë për një gabim serioz.

“Beogradi dhe Prishtina”?! Një gabim serioz apo një lapsus. Emërtimi zyrtar i saj është “Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi” dhe do të ishte e papranueshme nëse Sekretari i Përgjithshëm nuk e ka përdorur qëllimisht emërtimin e duhur. Ju lutem, jepni menjëherë sqarim,”- shkruan Rama.

Guterres përshëndeti marrëveshjen në Ohër, por në reagimin zyrtar, Kosovës dhe Serbisë iu referua me emrat e kryeqyteteve.

“Sekretari i Përgjithshëm mirëpret njoftimin e fundit nga Bashkimi Evropian për një marrëveshje nga palët për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Është e rëndësishme që tani të dyja palët të punojnë me shpejtësi dhe mirëbesim për të realizuar të gjitha detyrimet e përcaktuara në Marrëveshje, për të mirën e të gjithëve. Kombet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur zbatimin e marrëveshjeve që dalin nga dialogu Beograd-Prishtinë i lehtësuar nga Bashkimi Evropian,”- shkruhet në reagim.

Kosova dhe Serbia mbyllën me dakordësim marrëveshjen mbi aneksin e zbatimit të planit evropian në Ohër, i cili do të jetë i detyrueshëm për tu zbatuar nga të dyja palët në momentin e publikimit. Propozimi evropian që përfshin 11 pika për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë konsiderohet si një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon.

edi rama dialogu kosove-serbi antonio guterres

Sondazh

Poll