Politike

'Lëvizja Bashkë' regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit, Arlind Qori zyrtarisht kandidat për Bashkinë e Tiranës

Tashmë, Qori u bashkohet zyrtarisht kandidatëve të partive të tjera në garën për Bashkinë e Tiranës.

21 Mars 2023, 16:14 Nga F.M
'Lëvizja Bashkë' regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit,
Arlind Qori

TIRANË- Partia 'Lëvizja Bashkë' me në krye Arlind Qorin është regjistruar në zgjedhjet lokale të 14 majit. Vendimi është marrë sot në seancën e mbajtur në orën 15:00 nga Kolegji Zgjedhor. Në këtë seancë u vendos rrëzimi i vendimit të Komisionit Qendror të Zgjdhjeve për mosregjistrimin e partisë në fjalë në zgjedhje dhe detyrimin e KQZ-së për zbatimin e këtij vendimi.

Tashmë, Qori u bashkohet zyrtarisht kandidatëve të partive të tjera në garën për Bashkinë e Tiranës. Partia Socialiste kërkon rikonfirmimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, kryedemokrati Sali Berisha ka përzgjedhur Belind Këlliccin përmes procesit të Primareve, ndërsa grupi që mbështet Enkelejd Alibeajn nuk ka ende një emër.

Reagimi i Lëvizja Bashkë:

E DREJTA VIHET NË VEND. Përpara pak minutash Kolegji Zgjedhor na dha të drejtë duke vendosur ta detyrojë Komisionerin Qendror të Zgjedhjeve të regjistrojë Lëvizjen BASHKË si parti politike me të drejta të plota në zgjedhjet e 14 majit.
Kjo është një ditë e shumëpritur nga ne, e shumëpritur nga mijëra qytetarë që kanë nënshkruar për themelimin e Lëvizjes Bashkë, e shumëpritur nga mbi 5000 qytetarë që kanë nënshkruar që ne të marrim pjesë në zgjedhje. Paligjshmëria dhe padrejtësia do të kishte një fund. Ky fund fatmirësisht erdhi, pavarësisht makinacioneve që nisën me Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me gjygjtarin famëkeq Zhukri e komisionerin famëkeq Celibashi dhe tre anëtarët famkëqij të KAS-it.
Kjo nuk është fitore vetëm për ne, aktivistët e Lëvizjes Bashkë. Është fitore për çdokënd që do të jetë si ne, në pozitën tonë në të ardhmen. Kjo është fitore për qytetarët shqiptarë, pluralizmin politik, për aq pak demokraci sa kemi në Shqipëri. Ne demokracinë duhet ta mbrojmë, duhet ta zgjerojmë, duhet ta fuqizojmë dhe ky vendim është një ogur i mirë në këtë rrugë.
Ne do të nisim fushatën zgjedhore për pak ditë në bashkinë e Tiranës. Unë ju premtoj që do të jetë fushata më e pazakontë, më e fortë dhe më shpresëdhënëse që është parë ndonjëherë në këto 30 vite pluralizëm në Shqipëri.

arlind qori zgjedhjet lokale 14 maj 2023 bashkia tirane

Sondazh

Poll