Politike

Premtimi i Arlind Qorit: Kullat e paligjshme duhet të shemben! Do të rekuperojmë hapësirën publike

Qori u shpreh se Tirana nuk ka më trotuarë për shkak të ndërtimeve.

20 Mars 2023, 22:48 Nga F.M
Premtimi i Arlind Qorit: Kullat e paligjshme duhet të shemben! Do të
Arlind Qori

TIRANË- Arlind Qori pritet të jetë kandidat i pavarur për Bashkinë e Tiranës, pasi KQZ refuzoi regjistrimin e “Lëvizja Bashkë” në zgjedhje, tha se kullat e ndërtuara në paligjshmëri duhet të shemben për të shpëtuar hapësira publike të uzurpuara. I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Qori u shpreh se Tirana nuk ka më trotuarë për shkak të ndërtimeve. 

Pjesë nga biseda në studio:

Ylli Rakipi: Çfarë nuk shkon me Tiranën sot?

Arlind Qori: Gjithçka. Tirana është një qytet me gjithnjë e më pak hapësirë. Në Tiranë hahet hapësira, vidhet hapësirë, uzurpohet… Aty ku deri dje ka patur një kënd lojrash, ka një kullë. Aty ku deri dje ka patur një park, ka një kullë. Pallatet janë ndërtuar ngjitur me njëri-tjetrin, nuk ka trotuarë në shumë rrugë. Këndi i Lojrave ku jam rritur unë nuk është më, është ETC dhe ajo kulla e Kastratit që po ndërtohet. Fëmijët e mi sot kanë shumë herë më pak hapësirë seç kam patur unë. Në këto kulla, shikoni hapen apo jo drita? Janë monstra të betonit ku lahen paratë e pista dhe të korruptuarit blejnë apartamentin e 15 dhe pjesa më e madhe rri stok për të varrosur Tiranën.  Të çosh fëmijët në shkollë sot në këmbë është tmerr, nuk ka trotuarë.

Në trotuarët e Veliajt, mund të ecë vetëm miu dhe zhapiku.

Sot në Tiranë po mbushen gropat që kanë tre vite e nëntë muaj ashtu. Për zgjedhjet. Po u thotë Veliaj qytetarëve, po më votuat mua, në tre vitet e ardhshme do të keni gropa dhe para zgjedhjeve unë do t’ju mbush gropat.

Në Tiranë sot ende bëhet shkolla me turne. Nuk mendon njeri për shkollat dhe hapësirën publike. Të gjithë mendojnë ku të bëjnë para dhe ku të privilegjojnë njerëzit më të pasur, që kanë zyrat në qendër dhe shtëpitë në Rolling Hills. Ne të tjerët duhet të zihemi si miza brenda qytetit.

Ylli Rakipi: Të jemi më konkretë, ja erdhët ju si kryetar i Bashkisë. Cfarë do të bënit ndryshe nga Erion Veliaj?

Arlind Qori: Nuk do të japim leje ndërtimi në qendrën e Tiranës, nuk do të ndërtohet në qendër. Do të rekuperohet hapësira. Shikoni si jepen lejet. Ne duhet t’i themi ndal uzurpimit të hapësirës publike.

Ne duhet të rekuperojmë hapësirën publike, ku është e mundur.

Aty ku janë ndërtuar kulla në mënyrë të paligjshme, ato nuk duhet të ekzistojnë më. Nëse ka paligjshmëri në një ndërtesë të madhe, siç prishen sot shtëpitë e fukarenjtë, do të duhet të prisheshin kullat që janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme.

Kullat nuk prishen me urdhërin e kryetarit të Bashkisë, duhet të ketë proces hetimor dhe vërtetim të paligjshmërisë. Por të jesh në krye të Bashkisë, do të thotë të kesh mundësi të verifikosh.

Ylli Rakipi: Shpesh rregullime të tilla i kanë bërë juntat ose regjimet, siç kanë bërë kolonelët në Athinë…

Arlind Qori: Ne besojmë te demokracia.

arlind qori

Sondazh

Poll