Politike

VIDEO/ Tërheqje apo pezullim? Si dredhoi Rama sy për sy me Borrel për 'pasaportat e arta' 

Nisma e famshme e qeverisë shqiptare parashikonte dhënien e pasaportës shqiptare për shtetas të huaj dhe të pasur që duan të investojnë në Shqipëri

16 Mars 2023, 14:08 Nga f.g
VIDEO/ Tërheqje apo pezullim? Si dredhoi Rama sy për sy me Borrel
Edi Rama dhe Joseph Borrel

TIRANE- Kush e ndoqi sot kryeministrin në konferencën e përbashkët me shefin e Politikës së Jashtme, Joseph Borrel kuptoi se qeveria shqiptare ka bërë hapa pas në lidhje me çështjen e "pasaportave të arta".

Nisma e famshme e qeverisë shqiptare parashikonte dhënien e pasaportës shqiptare për shtetas të huaj dhe të pasur që duan të investojnë në Shqipëri, duke u kthyer në një shqetësim për Bashkimin Evropian që i druhej përdorimit të kësaj mundësie nga persona që janë pasuruar përmes aktiviteteve ilegale.

Kjo çështje bëri që Borrel ta niste sot konferencën për ti paraprirë pyetjes së gazetarëve në lidhje me temën. Ai tha se qeveria shqiptare e konsideron këtë çështje tashmë të "mbyllur". 

"Patëm mundësi të mirëpresim vendimin e kryeministrit që nuk do të bëhet miratimi i pasaportave të arta."-tha ai. 

Pas tij, temën e preku Rama. Shumë më i zbutur. Rama nuk foli për një çështje të mbyllur, por për një pezullim të projektit. Sipas tij, pasi gjykata evropiane të flasë, atëherë qeveria shqiptare do të vendosë çfarë do të bëjë. 

“E kemi pezulluar projektin e pasaportave të arta. Nuk do ta nxjerrim më këtë inciativë në tavolinë pa vendosur gjykata europiane. Nëse vendos gjykata europiane kundër, nuk do e hapim më si çështje."-tha Rama. 

Kush e lexoi keq deklaratën? Borrel apo Rama? A i ka premtuar diçka tjetër në anglisht dhe ka folur për diçka tjetër në shqip? Mes dy deklaratave, ndryshimi është i madh.../Dosja.al

edi rama joseph borrel pasaportat e arta

Sondazh

Poll