Ekonomi

Frenimi i kreditimit solli rritje të raportit të kredive me probleme në janar

Sipas burimeve nga sektori bankar, rritja e lehtë e raportit të kredive me probleme gjatë muajit janar, megjithatë, nuk ka ardhur nga rritja e stokut të kredive të këqija, por nga zvogëlimi i portofolit total të kredisë së sektorit bankar. Statistikat treguan se portofoli i kredisë për ekonominë gjatë muajit janar u tkurr me dy miliardë lekë, ndërsa në tre muajt e fundit vlera e portofolit është ulur me pothuajse 11 miliardë lekë.

15 Mars 2023, 07:26 Nga DOSJA
Frenimi i kreditimit solli rritje të raportit të kredive me probleme
Foto Ilustruese

TIRANË- Raporti i kredive me probleme u rrit lehtë në muajin janar të këtij viti. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues preku nivelin 5.1%, nga 5% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, raporti i kredive me probleme ngelet përsëri në rënie, me 0.35 pikë përqindje më pak.

Sipas burimeve nga sektori bankar, rritja e lehtë e raportit të kredive me probleme gjatë muajit janar, megjithatë, nuk ka ardhur nga rritja e stokut të kredive të këqija, por nga zvogëlimi i portofolit total të kredisë së sektorit bankar. Statistikat treguan se portofoli i kredisë për ekonominë gjatë muajit janar u tkurr me dy miliardë lekë, ndërsa në tre muajt e fundit vlera e portofolit është ulur me pothuajse 11 miliardë lekë.

Zvogëlimi i portofolit ka ardhur kryesisht si rezultat i rënies së kredisë së re gjatë muajve të fundit. Pas muajit shtator 2022, kredia e re e disbursuar nga sektori bankar ka rënë vazhdimisht me bazë vjetore, duke ndikuar negativisht edhe tepricën e kredisë për ekonominë. Tkurrja e madhësisë totale të portofolit (emëruesit) ka një efekt negativ, sepse për të njëjtën vlerë stoku të kredive të këqija (numëruesi) raporti i kredive me probleme rritet. Kjo është ajo që ka ndodhur gjatë muajit dhe janar.

Raporti i kredive me probleme në ekonominë shqiptare ka ardhur në rënie të vazhdueshme që prej vitit 2016 dhe aktualisht ndodhet pranë niveleve më të ulëta në katërmbëdhjetë vitet e fundit. Ulja e këtij raporti u mbështet fillimisht te pastrimi i portofoleve nga kreditë e humbura dhe më tej te rimëkëmbja dhe konsolidimi i sektorit bankar, që ndikuan në ritmet më të larta të kreditimit gjatë viteve në vazhdim. Kreditë me probleme nuk u rritën as në periudhën e pandemisë, edhe falë masave rregullatore lehtësuese të miratuara nga Banka e Shqipërisë. Por, vala inflacioniste dhe rritja e shpejtë e normave të interesit do të jenë sfida e radhe për këtë tregues kyç të sektorit bankar.

Për momentin, ekspertët nuk vërejnë rritje të sasisë së kredive të këqija të sektorit. Megjithatë, është e pritshme që raporti i kredive me probleme këtë vit të rritet, qoftë edhe për shkak të ngadalësimit të kreditimit, por, sipas skenarëve të deritanishëm, nuk pritet që ky përkeqësim të jetë dramatik. Në projeksionet e veta, Banka e Shqipërisë pret që raporti i kredive me probleme për vitin 2023 mund të rritet me 2 deri në 3 pikë përqindje.

Një rritje e tillë pritet të jetë pasojë logjike e inflacionit të lartë, rritjes së normave të interesit, ngadalësimit të kreditimit dhe një kuadri më të përkeqësuar makroekonomik. Megjithatë, Banka e Shqipërisë po përgatit një plan me masa që do të aplikohen, në rast të një rritjeje të ndjeshme të raportit të kredive me probleme.

Marrë nga Monitor.al

kredite me probleme

Sondazh

Poll