Politike

Limiti prej 800 kilovatësh, Berisha: Qeveria u rri njerëzve si çekan mbi kokë, do ua vendos sot, do ua vendos nesër

Kreu i PD-së tha se Shqipëria ka prodhuar çdo vit 9 terravat energji elektrike, 2 miliardë kilovat orë më shumë seç konsumon dhe nuk mund të ndodhë kjo gjë.

11 Mars 2023, 19:31 Nga F.M
Limiti prej 800 kilovatësh, Berisha: Qeveria u rri njerëzve si
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar sërish deklaratat e bëra nga qeveria për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Në fjalën që mbajti në Korçë, Berisha tha se kryeministri Edi Rama u qëndron qytetarëve si me çekan në kokë duke i mbajtur nën presion për rritjen e çmimit të energjisë. Kreu i PD-së tha se Shqipëria ka prodhuar çdo vit 9 terravat energji elektrike, 2 miliardë kilovat orë më shumë seç konsumon dhe nuk mund të ndodhë kjo gjë.

Pjesë nga fjala e Berishës:

U punua shumë, u ndërtuan HEC-et e Devollit, të Fanit, me dhjetëra e dhjetëra HEC-e të tjera. Sot HEC-et private prodhojnë 58% të energjisë që prodhohet në Shqipëri dhe kjo është një arritje historike për ne. Ato ujëra derdheshin në det, as për ujitje nuk përdoreshin, por tani shndërrohen në mirësi. A shndërrohen në mirësi këto për ju? Jo, jo. Pse, çfarë bëjnë këta? Digat ua shesin sekserëve të vetë me çmime qesharake. Kanë krijuar kompani seksere të blerjes së energjisë, i zbrazin digat dhe këta blerës, këta makutër, këtë energji që e blejnë me 30 euro, e shesin në bursë me 180-200-250 euro dhe të gjithë fitimin e ndajnë me qeveritar. Digat tona boshatisen, biznesit i 4-fishohet çmimi i energjisë, qytetarëve u rri mbi kokë 800 kilovatëshi, do ua vendos sot, do ua vendos nesër. Në një kohë kur viti 2022-2021, kanë qenë vitet më të mbara, Shqipëria ka prodhuar çdo vit 9 terravat energji elektrike, 2 miliardë kilovat orë më shumë seç konsumon. A duhet ne të ecim në këtë mënyrë? Unë u bëj thirrje të gjithë korçarëve, qytetarëve, këto zgjedhje janë për fatin tonë, që të shndërrojmë pasuritë tona në mirësi për qytetarët dhe jo në mallkim.

sali berisha

Sondazh

Poll