Aktualitet

Kurti: Ua kam thënë pesë emisarëve, dy shtete një komb jemi me Shqipërinë, jo me Serbinë

Ndër të tjerash, ai tregoi se çfarë u ka thënë pesë emisarëve për njohjen “de fakto” mes dy Gjermanive.

2 Mars 2023, 17:44 Nga I.A
Kurti: Ua kam thënë pesë emisarëve, dy shtete një komb
Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot ka raportuar në Kuvend për dialogun Kosovë-Serbi. Ndër të tjerash, ai tregoi se çfarë u ka thënë pesë emisarëve për njohjen “de fakto” mes dy Gjermanive. Sipas Kurtit, Kosova është një komb me dy shtete me Shqipërinë dhe jo Serbinë.

”Unë u kam thënë pesë emisarëve, po e them shumë hapur, unë e kuptoj idenë e tyre, për njohjen ‘de facto’ midis dy Gjermanive. Por konteksti historik dhe raportet janë krejtësisht të tjera. Unë ua kam thënë në secilin takim atyre, se nëse janë duke menduar gjermano-gjermane Kosova me Serbinë, unë filloj të ndjehem menjëherë francez. Kjo ka qenë fjala ime, nëse ju besoni gjermano-gjermane Kosovë-Serbi, unë filloj të ndjehem francez, sepse dy shtete, një komb, jemi me Shqipërinë, jo me Serbinë. Por, formulimet që merren legalo-juridike dhe futen në këtë propozim, unë i trajtoj të dekonteksualizuara historikisht edhe ata nuk ia kanë vënë titullin mbi bazën e modelit të dy Gjermanive sepse ka edhe gjëra të ndryshme siç dihet”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan më 27 shkurt në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në përfundim të takimit nuk u arrit asnjë marrëveshje dhe bisedimet për çështjen u shtynë më 18 Mars në Maqedoninë e Veriut. Paraprakisht, dy udhëheqësit u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë. Kurti dhe Vuçiç takuan edhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përpara takimit të përbashkët. Blloku evropian e konsideron takimin e sotëm mes tyre  të gjashtin me radhë si më të rëndësishmin. Propozimi, i cili u është dorëzuar atyre që në fund të verës, përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara. Propozimi evropian nuk e përmend në mënyrë specifike Asociacionin, por përfshin zotimin e të dyja palëve për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, e ku bën pjesë edhe ajo për Asociacionin.

albin kurti mblidhet kuvendi i kosoves

Sondazh

Poll