Bota

Takimi i 27 shkurtit, eksperti nga Brukseli: Plani evropian në favor të Serbisë, nuk parashihet njohja e Kosovës

Ndonëse Kurti dhe Vuçiç treguan dakordimin e tyre me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Vogel tha se nuk sheh elemente për të arritur ndonjë hap përpara.

25 Shkurt 2023, 23:10 Nga F.M
Takimi i 27 shkurtit, eksperti nga Brukseli: Plani evropian në favor
Toby Vogel

BRUKSEL- Hulumtuesi nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane në Bruksel (CEPS), Toby Vogel, tha se versionet e publikuara më parë të propozimit evropian, autenticiteti i të cilit nuk është vërtetuar, tregojnë se takimi i 27 shkurtit mund të jetë në favor të Serbisë. Ndonëse Kurti dhe Vuçiç treguan dakordimin e tyre me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Vogel tha se nuk sheh elemente për të arritur ndonjë hap përpara.

“Nuk shoh elemente që do të kontribuonin në një hap të rëndësishëm përpara në proces. Më duket se ky është një takim që synon të ruajë balancën e arritur gjatë javëve të fundit. Thelbi i saj është se të dyja palët e pranuan propozimin franko-gjerman si diçka për të negociuar. Pra, ka të bëjë me përpjekjen për të ruajtur balancën dhe në një farë mënyre, të rindërtohet propozimi”, deklaroi Vogel për Zërin e Amerikës në Serbi, shkruan Telegrafi.

Më tej eksperti nga Brukseli u shpreh se “vështirë se mund të shoh një skenar sipas të cilit palët në proces do të shpallnin se heqin dorë dhe se nuk duan të flasin më – dhe nga ana tjetër, ndërmjetësit ndërkombëtarë të tërhiqen”.

“Megjithatë, nëse kjo do të ndodhte – mendoj se skenari do të ishte i ngjashëm me Qipron. Diplomacia ndërkombëtare do të largonte vëmendjen e saj në diçka tjetër dhe do të duheshin vite për të rikrijuar kushtet në të cilat palët do të merrnin pjesë në dialog me ndërmjetësimin ndërkombëtar,”- tha Vogel.

“Mendoj se është plotësisht e qartë se ka përfitime që janë më afër qëndrimit të Serbisë, e cila nuk është e detyruar të pranojë pavarësinë e Kosovës. Asnjë nga versionet e teksteve që dolën në publik nuk parashikonte njohjen e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur. Kjo është ajo që tregon pa mëdyshje se propozimi evropian duhet të jetë një lloj marrëveshjeje e përkohshme – sepse ajo përfundimtare duhet të çojë në zgjidhjen e asaj çështjeje të konkrete. Kjo më çon në interpretimin se marrëveshja përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të arrihet nga të dyja palët për një kohë të ardhshme”, thekson ai.

Kurti dhe Vuçiç do të takohen të hënën në Bruksel në një raund të ri të dialogut midis dy vendeve. Në tavolinë do të kenë propozimin evropian, qëllimi i të cilit është normalizimi i marrëdhënieve.

toby vogel dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll