Aktualitet

Gazetarja nxjerr dokumentin: Investimi strategjik i Olta Xhaçkës është nënshkruar në 30 shkurt

Kjo datë nuk ekziston duke qenë se muaji shkurt ka 28 ditë, ose 29, njëherë në katër vite.

18 Janar 2023, 07:37 Nga F.M

 

Gazetarja nxjerr dokumentin: Investimi strategjik i Olta Xhaçkës
Blerina Gjoka

 

TIRANË- Gazetarja e BIRN, Blerina Gjoka ka zbuluar edhe një gafë në marrëveshjen për ndërtimin e investimit strategjik të Olta Xhaçkës.

E ftuar në ‘Task Force’ në SYRI TV, përballë moderatores Sonile Meço, Gjoka u shpreh se marrëveshja mes dy kompanive, asaj të Artan Gaçit, bashkëshortit të ministres Olta Xhaçkës dhe partneres së vëllait të ministres, Taëni Lin Grzych-Sutton, një shtetase 30-vjeçare nga Masaçusets i SHBA, është nënshkruar në 30 shkurt 2021. Kjo datë nuk ekziston duke qenë se muaji shkurt ka 28 ditë, ose 29, njëherë në katër vite.

“Në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike ka një gafë, citohet se marrëveshja mes dy kompanive është mbajtur në 30 shkurt të vitit 2021 që në fakt 30 shkurt nuk ekziston se shkurti nuk ka kaq ditë. Unë e kërkova këtë marrëveshje për ta pasur në dispozicion dhe AIDA nuk e vuri në dispozicion dhe e quajti si marrëveshje konfidenciale mes dy palëve. Marrëveshja nuk është bërë publike, vetëm vendimet janë bërë publike,”- tha gazetarja Blerina Gjoka.

Përtej datës, Opozita pretendon se deputetja Xhaçka është në konflikt të hapur interesi, sepse kompania e bashkëshortit të saj, pra edhe ajo vet, kanë përfituar pasuri publike shtetërore, gjatë investimit në një objekt turistik. Ndërsa sipas socialistëve, ky rast nuk ka të bëjë me konflikt interesi, dhe propozojnë në raportin e tyre, që mocionet e opozitës të mos i përcillet Gjykatës Kushtetuese, sepse shoqëria e bashkëshortit të deputetes Xhaçka do të ndërtojë me leje në një truall privat dhe nuk ka ndonjë kontratë me institucione për të përfituar nga prona publike.

Sot, Gjykata Kushtetuese ka parashikuar të marrë në shqyrtim dy padi të ngritura nga deputetët e opozitës lidhur me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit për ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik për ndërtimin e një hoteli në Dhërmi. Në parashtrimet e mbrojtjes, të cilat BIRN i disponon, Xhaçka përpiqet të shpëtojë mandatin e saj me procedurë, duke sjellë si argument në favor, tejzgjatjen e vendimmarrjes nga Kuvendi për dy mocionet e opozitës. 

Sipas avokatit të Xhaçkës, Genci Çifligu, shqyrtimi i papajtueshmërisë së mandatit në Gjykatën Kushtetuese është në tejkalim të afateve kohore të parashikuara në ligj dhe kësisoj “nuk përbën subjekt kushtetues”.

blerina gjoka olta xhacka artan gaci

Sondazh

Poll