Aktualitet

Mbi 400 mijë euro pa pronar/ Prokuroria shtrin hetimet për Rozeta Dobin, pritet të kërkojë ekspertizë për shenja gishtash

Prokuroria e cila po heton krahas vjedhjes edhe për veprën penale të pastrimit të parave, ka urdhëruar kontrollin e disa banesave

16 Janar 2023, 17:52 Nga A.B
Mbi 400 mijë euro pa pronar/ Prokuroria shtrin hetimet për Rozeta
Alda Klosi dhe Rozeta Dobi

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka shtrirë hetimet për të zbuluar se kujt i përkasin mbi 400 mijë eurot që u gjetën në tubin e aspiratorit në shtëpinë e pastrueses Rozeta Dobi.

Hetimet mund të ndihmohen edhe nga një ekspertizë për gjurmë të gishtave në kartëmonedha. Prokuroria e Tiranës pritet të kërkojë nga Policia Shkencore të bëjë verifikimet në këtë drejtim te kartëmonedhat, teksa Policia e Tiranës thotë se janë duke u kryer të gjitha akt-ekspertimet e nevojshme për rastin.

Po ashtu, Prokuroria ka urdhëruar kontrollin e disa banesave, ndërsa pret përgjigje nga bankat e nivelit të dytë, për të parë nëse e dyshuara dhe i biri kanë llogari bankare dhe sa është shuma në këto llogari. Informacion është kërkuar edhe në Kadastër, për llogaritë bankare dhe pasuritë që zotëron Alda Klosi, por edhe zyrtarë të tjerë në shtëpitë e të cilëve punonte si pastruese Dobi.

Kjo e fundit, po mbahet nën masën e arrestit me burg bashkë me të birin 21-vjeçar Havier Dobi, i cili shfaqte luks në rrjetet sociale, pasi kishte shpenzuar shuma të mëdha parash nga ato që kishin vjedhur në banesat e zyrtarëve. 49-vjeçarja është e vetmja, që mund të hedhë dritë mbi misteret e kësaj ngjarjeje dhe të sqarojë se kush është pronari i shumës së majme, por ajo ka refuzuar të flasë.

Vjedhja e shtëpisë së Alda Klosit ndodhi më 15 dhjetor dhe u pikas nga vajza e ish-zyrtares, pasi Rozeta Dobi dhe djali i saj Havieri kishin hapur derën me forcë dhe e kishin inskenuar si grabitje. Por, kamerat e sigurisë zbuluan gjithçka. Tashmë nënë e bir janë në pranga. Ata kanë pranuar autorësinë e ngjarjes.

rozeta dobi alda klosi

Sondazh

Poll