Aktualitet

Gjykata e Lartë zgjedh anëtarin e 9 të Kushtetueses, Holta Zaçaj zëvendëson Vitore Tushën

KED, në listën e tij kishte renditur të parën Zaçajn, ndaj ajo u përzgjidh si zëvenduesja e Tushës. 

16 Janar 2023, 11:27 Nga F.M
Gjykata e Lartë zgjedh anëtarin e 9 të Kushtetueses, Holta
Gjykata e Lartë

TIRANË- Holta Zaçaj do të zëvendësojë Vitore Tushën në Gjykatën Kushtetuese. Në njoftimin e bërë publik nga Gjykata e Lartë bëhet me dije se se Zaçaj mori gjashtë vota bashkë me kandidaten tjetër, Elsa Miho, ndërsa tre vota u shpallën të pavleshme. Sipas rregullit, zgjidhet anëtari që merr tri të pestat e votave të gjyqtarëve të pranishëm, ndërsa në raste që nuk arrihet shumica, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konsiderohet i zgjedhur. KED, në listën e tij kishte renditur të parën Zaçajn, ndaj ajo u përzgjidh si zëvenduesja e Tushës. 

Gjykata Kushtetuese nuk ushtroi dot funksionet e veta për disa vite, sepse procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe dorëheqjet që pasuan, e lanë atë vetëm me kryetaren Vitore Tusha. Ndërsa tashmë gjykata është me numrin e plotë të anëtarëve për të trajtuar një mori çështjesh që dorëzohen nga palë të ndryshme. Më herët, Gjykata Kushtetuese është plotësuar edhe me dy anëtarë të rinj më herët. Bëhet fjalë për emërimin e Marjana Seminit dhe Gent Ibrahimit. 

Njoftimi: Bazuar në nenin 125, pika 1 të Kushtetutës, nenin 7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe Rregullores së miratuar nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, “Për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese”, sot në datë 16 janar 2023, ora 09.30, Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë zhvilloi procedurën e votimit për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, bazuar në listën e dërguar për këtë qëllim nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Në përfundim të procesit të votimit, rezultoi se kandidatja Holta Zaçaj mori 6 (gjashtë) vota dhe kandidatja Elsa Miha mori 6 (gjashtë) vota, ndërkohë që 3 (tre) vota u shpallën të pavlefshme.

Në zbatim të nenit 7/ç, pika 4, ku thuhet: “Për çdo vend vakant votohet për secilin nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Kandidati që merr tri të pestat e votave të gjyqtarëve të pranishëm shpallet i zgjedhur. Nëse nuk arrihet shumica e nevojshme, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konsiderohet i zgjedhur”, komisioni deklaroi fituese kandidaten Holta Zaçaj. Në këto kushte, Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve vendosi që znj. Holta Zaçaj zgjidhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim i njoftohet menjëherë, Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe i dërgohet për botim Qendrës së Publikimeve Zyrtare.

 

holta zacaj vitore tusha gjykata e larte gjykata kushtetuese

Sondazh

Poll