Aktualitet

Hodhi foshnjën në lumë/ Gjykata e Shkodrës vendos masën “arrest me burg”, 32-vjeçarja në gjendje të rëndë

32-vjeçarja do i nënshtrohet edhe një ekspertimi psikologjik.

9 Janar 2023, 11:46 Nga A.B
Hodhi foshnjën në lumë/ Gjykata e Shkodrës vendos masën
Policia ne Gjykate

SHKODËR-Orjana Gremi, 32-vjeçarja e cila hodhi në lumin Kir foshnjen e saj të porsalindur, është njohur me masën e sigurisë 'arrest me burg' nga Gjykata e Shkallës së parë Shkodër.

32 vjeçarja nuk ka folur në sallën e gjyqit pasi ishte në gjendje të rënduar psikologjike. Avokatja e saj, Bruna Pepa kërkoi ndryshimin e veprës penale nga vrasje në rrethana tjera cilësuese në vrasje e të miturve. Kjo është refuzuar nga gjykatesi i cili ka lënë në fuqi kërkesën e prokurorisë dhe cilësimin e veprës penale. 32-vjeçarja do i nënshtrohet edhe një ekspertimi psikologjik.

Ngjarja makabre u zbulua më 7 janar 2023, ku një foshnje vetëm 7 ditëshe u gjet e mbuluar me batanije dhe plastmase buzë lumit Kir në Shkodër. Foshnja, djalë, u lind nga Orjana Gremi më 30 dhjetor 2023 në maternitetin e Shkodrës.

Gruaja paralajmëroi mjekët dhe të afërmit se do e braktiste fëmijën pasi nuk kishte ku ta mbante. Edhe pse kolegët e punës e ndihmuan dhe kërkuan që ajo të mbante fëmijën, më 4 janar ajo ka dalë nga spitali i Shkodrës dhe mbrëmjen e 6 janarit ka ndërmarrë aktin ekstrem të braktisjes së foshnjes. Pasi ka kryer krimin ajo ka rrëfyer ngjarjen te murgeshat, të cilat njoftuan policinë. 

Mjekët e spitalit ku ajo lindi deklaruan se nuk kishte probleme të shëndetit mendor dhe se ishte trajtuar me psikolog. Orjana Gremi, ishte e pamartuar dhe jetonte vetëm me dajën në fshatin Myselim në Shkodër. Identiteti i babait të foshnjes ende nuk dihet./Dosja.al

orjana gremi

Sondazh

Poll